Shqipëria

Nis rrugëtimi shqiptar i negociatave me BE-në, nga ‘Gjyqësori’


Shqipëria ka nisur negocimin për grupin e parë të kapitujve themelorë drejt integrimit evropian, ku puna konkrete do të përqendrohet tek “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”.

Ky kapitull i negociatave, është një kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë dhe është ndër më të rëndësishmit të integrimit të shteteve jo anëtare në BE, siç është dëshmuar për vite me radhë në proceset e vendeve të Evropës Lindore, të cilat janë tashmë anëtare të bashkësisë evropiane.

Grupi i parë negociator i Shqipërisë, është i kryesuar nga Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatore për procesin e aderimit në BE, Majlinda Dhuka.

Në përbërje të delegacionit, kanë qenë edhe përfaqësues të administratës dhe institucioneve të Drejtësisë në vend, si edhe negociatorja për kapitullin 23 (i cili ka të bëjë me drejtësinë), Adea Pirdeni.

Takimi i zhvilluar sot, ka pasur në vëmendje shpjegimin e standardeve të legjislacionit të Bashkimit Evropian lidhur me garantimin e një mbrojtje gjyqësore efektive.

Po ashtu, janë trajtuar çështje si politikat antikorrupsion, mbrojtja e të dhënave personale, mosdiskriminimi, të drejtat e fëmijëve apo liria e medias.

Përafrimi i legjislacionit

Ky proces i përafrimit ligjor njihet edhe si “aquis” (diçka për të cilën është rënë dakord).

Për secilin kapitull, dy takime formale ndërqeveritare zhvillohen mes vendeve kandidate dhe strukturave të BE-së.

Me plotësimin e kushteve të një kapitulli të caktuar nga vendi që aspiron unionit, kalohet në kapitullin tjetër, e deri në përmbylljen e gjithë procesit.

Një raport publikohet më pas nga Komisioni Evropian për çdo kapitull të diskutuar në konferencë.

Këshilli i Evropës më pas, është ai që vendos ta pranojë apo jo propozimin e ardhur nga raporti i Komisionit. Në bazë unanimiteti, vendoset edhe hapja ose jo e kapitujve nga një vend.

Më pas, e njëjta procedurë vlen edhe për mbylljen e kapitujve, deri në plotësimin tërësor të tyre.

Në rast më pas të arritjes së mbylljes së të gjithë kapitujve nga një vend, “Traktati i pranimit” merr jetë. Por, procesi i negociatave zgjat zakonisht disa vjet, në varësi të plotësimit të kushteve nga vendi kandidat.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore