Kosova

Nis punën spitali i ri pediatrik-kirurgjik në QKUK


Spitali pediatrik-kirurgjik.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka filluar punën të hënën spitali pediatrik-kirurgjik që është donacion prej 22 milionë eurove i Emirateve të Bashkuara Arabe për shëndetësinë e Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë.

“Në zbatim të Planit të veprimit për funksionalizimin e këtij spitali, sot në ditën e parë të funksionalizimit të këtij spitali janë kryer dy operacione të fëmijëve si dhe kanë filluar aty punën ambulanca specialistike për fëmijë, emergjenca pediatrike dhe kirurgjia specialistike”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Tutje, bëhen të ditura edhe shërbimet të cilat janë funksionalizuar në këtë spital.

“Brenda këtij spitali janë funksionalizuar shërbimet e hemato-onkologjisë pediatrike, të kirurgjisë pediatrike dhe shërbimet e mjekësisë interne për fëmijë, ndërkohë që pritet të transferohen edhe neo-onatologjia, shërbimet ortopedike dhe shërbimet e tjera për fëmijë”.

Spitali pediatrik-kirurgjik.

Gjithashtu, spitali pediatrik –kirurgjik do t’i integrojë shërbimet e emergjencave pediatrike mjekësore; ato të Traumës; shërbimet e Observimit dhe Rikuperimit; shërbimet e ambulancave  specialistike pediatrike dhe kirurgjike; Njësinë e Radiologjisë së fëmijëve.

Ndër të tjera, edhe sallat e operacioneve urgjente dhe të planifikuara; Njësinë e Kirurgjisë Ditore dhe  Endoskopisë së Fëmijëve; Sterilizimin qendror; Mjekimin intensiv të fëmijëve dhe të porsalindurve; Departamentin e Kirurgjisë së fëmijëve dhe Departamentin e Onkologjisë Pediatrike.

“Spitali pediatrik –kirurgjik në QKUK pritet të shënojë një kthesë të rëndësishme sa i përket cilësisë së shërbimeve shëndetësore terciare që do t’u ofrohen fëmijëve në Kosovë”.

Ministria e Shëndetësisë ka falënderuar me këtë rast Emiratet e Bashkuara Arabe për këtë investim kapital dhe zemërgjerë për fëmijët e Kosovës.

Spitali pediatrik-kirurgjik.

Ndryshe, në shtator ishte përuruar spitali i pediatrisë Kirurgjike “Sheikha Fatima”, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Ish-presidentja, Atifete Jahjaga dhe Maitha Al Shamsi, ministre e shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe, më 21 mars të vitit 2016, kishin vënë gurthemelin e Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, në hapësirat e QKUK-së. Realizimi i këtij projekti ishte paraparë të përfundojë në vitin 2018.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore