Shqipëria

Nis bllokimi i rrugëve para Samitit të Tiranës, ndalohet kalimi në disa akse kryesore


Ka nisur zytarisht bllokimi i disa akseve rrugore në Tiranë, prej orës 20:00, i cili pritet të zgjasë deri në orën 20:00 të 16 tetorit, kur edhe do të përmbyllet Samiti i Procesit të Berlinit, i cili zhvillohet në kryeqytetin shqiptar, për të parën herë jashtë kufijve evropianë.

Perimetri i sigurisë nis nga Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, Ura e Dajtit deri tek Sheshi Nënë Tereza ndërsa do të jenë 1 mijë e 604 efektivë dhe 400 punonjës të Gardës së Republikës të angazhuar për këtë ngjarje madhore.

Rrugët që do të bllokohen

Për garantimin e sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:

-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”;

-Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

-Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”;

-Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”;

-Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

-Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”;

-Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

-Rruga “Ukraina e lirë”.

Në këto akse rrugore, duke filluar ora 20:00 e datës 15 tetor deri në përfundim të Samitit, më datë 16 tetor, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë.

Të gjitha bizneset private që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë, ditën e hënë do të jenë të mbyllura.

Në rrugën “Papa Gjon Pali II”, nuk do të lejohet as lëvizja me këmbë, e qytetarëve.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve, më datë 16 tetor, nga ora 08:00 deri në orën 12:00, dhe nga ora 15:30 deri në orën 20:00, do të ketë në akset rrugore:

Rinas – Mbikalimi i Kasharit – autostrada “Durrës – Tiranë” – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – rrethrrotullimi i Saukut – rrethrrotullimi pranë Akademisë së Sigurisë – Pallati i Brigadave – rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”;
Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri te Rruga e Elbasanit (ky ndalim vlen për të gjitha llojet e mjeteve);
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan D’Ark” deri te sheshi “Nënë Tereza”;
E gjithë rruga “Papa Gjon Pali II”;
Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore