Shqipëria

Nikolla takim me Ambasadorin britanik: Marrëdhëniet dypalëshe dhe sundimi i ligjit, në fokus


Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, të shtunën e 9 tetorit ka zhvilluar një takim me ambasadorin britanik, Alastair King-Smith.

Në qendër të bisedimeve ishte avancimi i reformave, sundimi i ligjit dhe kthimi i opozitës në parlament.

Nikolla uroi Ambasadorin për marrjen e detyrës së tij re, mandatin në Shqipëri, dhe vlerësoi ecurinë e deritanishme të bashkëpunimit dypalësh shqiptaro-britanik.

Po ashtu dhe King-Smith, uroi Nikollën për fillimin e punës së Kuvendit me në krye të saj si kryeparlamentare.

Ambasadori Smith shprehu vullnetin e Mbretërisë së Bashkuar për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve.

“Parlamenti dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar vlerësojnë kontributin e Kuvendit të Shqipërisë në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe kanë bindjen se me opozitën pjesë aktive e Kuvendit, reformat do të avancojnë”, theksoi Smith.

Ata biseduan rreth bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar. Konkretisht për shkëmbimet e grupeve të miqësisë e komisioneve parlamentare.

Si dhe shprehën mbështetjen prej Dhomës së Komuneve të Kuvendit në avancimin e reformave, procesin legjislativ, kontrollin e monitorimin parlamentar, mbështetjen e institucioneve të pavarura, harmonizimin e sundimit të shtetit ligjor me respektimin e të drejtave të njeriut etj.

Që prej marrjes së detyrës së re, Nikolla ka mikpritur disa nga ambasadorët e huaj në Shqipëri.

Kujtojmë që më 1 shtator Smith mori detyrën e Ambasadori të Britanisë së Madhe në Shqipëri për 5 vitet e ardhshme. Ai pasoi ambasadorin Duncan Norman, pas mbarimit të detyrës së tij më 30 korrik. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore