Lajme

Ngritet Flamuri i Kosovës me ceremoni solemne në Prishtinë


Flamuri ikosovës në oborrin e përbashkët të Presidencës dhe kryeministrisë

17 shkurti në Kosovë, filloi me ceremoninë solemne të ngritjes së flamurit në oborrin e përbashkët të Presidencës dhe Qeverisë në Prishtinë.

Nën tingujt e himnit të flamurit dhe nderimet e Presidentes Vjosa Osmani, Kryeministrit lbin Kurti, Kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe Komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari, flamuri u ngrit në ora 8 të mëngjesit të kësaj dite.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani uroi të gjithë qytetarët 14 vjetorin e pavarësisë duke shtuar se më 17 shkurt shënohet arritja më kulminante që populli i Kosovës e ka pasur në historinë e saj.

“Natyrisht që edhe këtë ditë si çdo ditë të punës e përpjekjeve tona, dua ta shfrytëzoj për të falënderuar e nderuar të gjithë ata që dhanë çdo gjë që kishin që ne at gëzojmë këtë ditë”.

“Duke filluar nga vizionari dhe arkitekti i Pavarësisë së republikës së Kosovës President, Ibrahim Rugova, i cili diti t’a qartësoj vullnetin e popullit të Kosovës para botës dhe të krijoj miqësi të cilat edhe sot i gëzojmë”.

“Duke vazhduar me 3 mijë dëshmorë të cilët flijuan jetën e tyre në mënyrë që sot të jetojmë të lirë, të udhëhequr nga komandant Adem Jashari dhe familja Jashari”.

“Sakrifica për shtetin tonë ka qenë jashtëzakonisht e madhe, mbi 13 mijë civil prej të cilëve 1 mijë e 103 e më shumë fëmijë, rreth 20 mijë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, mbi 130 mijë shtëpi të shkatërruara, shumë monumente kulturore, e mbi 1 mijë e 600 të zhdukur janë plagë akoma e hapur e Republikës sonë”.

“Liria jonë do të jetë e plotë atëherë do të ketë drejtësi për të gjitha viktimat dhe atë ditë kur deri edhe qytetari ynë i fundit do të kthehet në republikën tonë, tek shtei i vet, tek familjet e tyre”, ka shtuar Osmani.

“Në këtë ditë festojmë edhe të arriturat e Republikës së Kosovës sepse shteti ynë është punë e përfunduar dhe me 17 shkurt 2008 është përcaktuar një herë e përgjithmonë fati ynë si shtet i pavarur dhe sovran. Megjithatë sfidat vazhdojnë. Në këto sfida dhet të qëndrojmë të bashkuar sepse historia jonë ka dëshmuar cdo herë, që vetëm atëherë kur jemi të unifikuar e bashkuar rreth qëllimit, për ta bërë Kosovën shtet të suksesshëm, shtet që u del zot qytetarëve të vet shtet me të cilin mburren të gjithë, të rinj e të vjetër, burra e gra, atëherë ne vërtetë mund të kemi sukses”.

“Unë jam e bindur që deri tani i kemi bërë krenarë edhe miqtë tanë që na kanë ndihmuar në rrugën tonë dhe dua t’i falënderoj që kurrë nuk na lanë vetëm”.

“Ashtu siç ka thënë edhe ish presidenti ynë shtëpia nuk mbahet pa miq dhe Kosova është një shembull i mirë për këtë”, ka përfunduar Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Kryeparlamentari Glauk konjufca tha se 17 shkurti mishëron përpjekjet e gjeneratave të ndryshme për lirinë politike të Kosovës.

“Sot është dita më e rëndësishme e Republikës së Kosovës sepse është dita e pavarësisë sonë. Kjo ditë mishëron e sublimon të gjitha përpjekjet dhe të gjithë sakrificën e gjeneratave për lirinë tonë politike”.

“Këtë ditë po e fillojmë me ngritjen e flamurit tonë, është një simbolikë që shteti ynë do të qëndroj lart dhe i paepur përgjithmonë”.

“Përgjatë gjithë ditës do të shënojmë këtë ditë të rëndësishme të shtetit tonë me aktivitete të shumta ashtu siç e meriton kjo ditë e rëndësishme. prandaj dhe shfrytëzoj rastin të uroj të gjithë qytetarët e Kosovës, ditën e pavarësisë”, ka përfunduar kryeparlamentari Konjufca.

Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk konjufca

I fundit morri fjalën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në fillim ai uroi të gjithë qytetarët për këtë ditë të veçantë, ai kujtoi të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit.

“Teksa urojmë e festojmë nuk kemi se si të mos kujtojmë e të mos kujtojmë ata që punuan e luftuan për lirinë e popullit dhe pavarësinë e vendit”.

Kryeministri nuk e zgjati shumë, ai foli vetëm për disa nga aktivitetet e kësaj dite.

“Andaj nga kryeqyteti i Republikës së Kosovës, këtu nga oborri i përbashkët i Presidencës, Kuvendit dhe të Qeverisë ku bëmë nderime dhe ngritëm flamurin shtetëror”.

“Do të vazhdojmë me kryeqendrën e kryengritjes së popullit tonë në Prekaz, te kompleksi Adem Jashari, dhe më pastaj tek varri i Presidentit, Ibrahim Rugova e më pas veprimtarit, Adem Demaçit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore