Shqipëria

Ngricat në rrugë, drejtori i rrugores me 4 këshilla për shoferët


Situata e ngricave në rrugë vijon në një pjesë të mirë të Shqipërisë, pas temperaturave nën zero që do të karakterizojnë gjithë fundjavën, ku disa këshilla kanë ardhur edhe nga drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato.

Në një deklaratë për mediat në lidhje me situatën, Qato ka pasqyruar situatën, e cila është e qëndrueshme, krahasimisht me një ditë më parë.

Në disa zona të vendit, kryesisht ato malore-rurale, rrugët kanë shtim të pranisë së akullit, duke vështirësuar lëvizjen. Por, qarkullimi vijon të jetë i hapur në thuajse gjithë vendin.

Një sërë masash janë marrë edhe nga Policia e Shtetit, mbi mbarëvajtjen e trafikut rrugor.

Bashkëpunim ka pasur edhe me entet, të cilat mirëmbajnë rrugët, ku firmat e kontraktuara kanë nisur që dje shpërndarjen e kripës në segmente të caktuara, për të shmangur ngricat.

Ndërsa një apel, ka ardhur nga vetë Qato për shoferët, me katër këshilla të qarta.

Së pari, ai ka kërkuar që të lëvizet vetëm me goma dimërore ose zinxhirë, për rastet kur kalohet në akse me problematika.

Shpejtësia e mjeteve duhet të jetë e reduktuar dhe në përputhje me udhëzimet e dhëna nga Policia e Shtetit.

Përdorimi i celularit vijon të jetë problem. Ndaj, një apel ka shkuar për shoferët, që ata ta shmangin përdorimin e tij gjatë kohës që po ngasin mjetet.

Sakaq, respektimi rigoroz i çdo sinjalistike është i domosdoshëm. Mbi të gjitha, shmangia e parakalimeve të gabuara apo manovrave të rrezikshme në rrugë.

Forcat policore vijojnë të jenë prezente në gjithë rrugët e Shqipërisë, me prani të shtuar në zonat më të rrezikuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore