Shqipëria

Ngricat në rrugë, ARRSH-ja apel drejtuesve


I gjithë vendi është përfshirë nga reshjet e dendura të dëborës. Më intensive reshjet kanë qenë në Qarkun e Korçës. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka bërë thirrje më 15 janar që drejtuesit e automjeteve të tregohen të kujdesshëm.

Duhet të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore që të mos bëhen burim aksidentesh”, ka shkruar ARRSH-ja.

Sipas ARRSH-së, kontraktorët kanë bërë shpërndarjen e kripës dhe pastrimin e të gjitha akseve si: Dedaj-Razëm-Bogë, Qafë Mali-Fierzë, Kuben-Vasije, Tamarë-Shkodër, Burrel-Klos-Peshkopi, Kukës-Has, Përrenjas-Kapshticë, ku qarkullimi vazhdon normalisht.

Probleme qarkullimi ka pasur edhe në akset rrugore të Qafë Thanës dhe Qafë Plloçës, ku është vënë re një trafik i rënduar mjetesh. Katër mjete borëpastruese janë duke punuar për të mbajtur të hapur aksin nacional.

Gjatë mbrëmjes, trashësia e dëborës ka arritur nga 10 deri në 20 cm në Korçë.  Temperaturat janë ulur deri në minus shtatë gradë. Mësohet se në akset Korçë-Qafë Qarri, Korçë-Dardhë, rekomandohen goma dimërore.

Sipas njoftimeve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHE), disa zona rreth Korçës; Dishnica, Barci, Bilishti dhe dy fidrat e Maliqit kanë pasur problem edhe me energjinë elektrike.

Në pjesën fundore të aksit Krujë-Sarisalltik, me gjatësi prej dy kilometrash, përdoruesit e mjeteve duhet të pajisen me zinxhirë gjatë natës. Edhe në orët e para të mëngjesit duhet të vazhdojë udhëtimi me zinxhirë për shkak të ngricave. Vazhdon puna me mjete borë pastruese.

Në akset e Dajtit, Qafë Priskë-Qafë Mollë, rekomandohet gjithashtu kalimi me zinxhirë, pasi ka prezencë të ngricave në disa vende./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore