Shqipëria

Nga Rindërtimi te Programi Kombëtar për femijët, zbulohen vendimet e qeverisë


Këshilli i Ministrave në mbledhjen e 20 prillit ka vendosur të miratojë projektvendimet për vijimin e financimit të procesit të rindërtimit, Programin Kombëtar për Kujdesin ndaj Shikimit të Fëmijëve dhe ri-liberalizimin e vizave për tetë vende.

Ishte zëvëndëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, njëkohësisht edhe ministër i Shtetit për Rindërtimit, i cili bëri me dije se faza e ecurisë së punës për procesin e rindërtimit ka avancuar shumë.

“Ne kaluam projektvendimet për procesin e rindërtimit. Në specifikë ka një seri institucionesh publike të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Konkretisht do të fillojë puna për Institutin e Policisë Shkencore”, deklaroi Ahmetaj..

Sakaq ai theksoi se vazhdon financimi për rindërtimin dhe rikonstruksionin në zonat e Durrësit dhe Kavajës. Ku bëri të ditur se vetëm Bashkia e Durrësit  ka kërkuar edhe 16 milionë dollarë për të mbyllur të gjitha rikonstruksionet.

Konkretisht rindërtimi dhe rikonstruksioni i shkollave dhe pallateve në kombinat, Bashkia e Tiranës, do të mbarojnë në vjeshtë, sipas Ahmetaj.

“Programin Kombëtar për Kujdesin ndaj Shikimit të Fëmijëve”

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu,bëri të ditur se qeveria shqiptare ka miratuar “Programin Kombëtar për Kujdesin ndaj Shikimit të Fëmijëve”.

Sipas saj ky nga ky program do të përfitojnë 270 mijë fëmijë.

Aplikimi i këtij vendimi, sipas saj, do të bëhet menjëherë pas trajtimit në shkolla ose nga Mjeku i Familjes.

Manastirliu e ka konsideruar këtë të fundit si një ndër programet më të vlefshme të edukimit, promocionit dhe parandalimit.

“Ky program do të funksionojë sipas një strukture, i cili do të ngrihet nëpër shkolla dhe, më pas, secila problematikë do të adresohet në poliklinika nga mjeku specialist”, e përmbylli ajo.

Liberalizimi i vizave për tetë vende

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaroi gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave u mor vendimi i liberalizimit të vizave për tetë vende.

Kjo, sipas saj ka për me qëllim lehtësimin e procedurave të qytetarëve të këtyre vendeve, të cilët duan të vizitojnë Shqipërinë.

Gjithashtu, në mbledhje është diskutuar edhe heqja e Green Pass-it – pasaportës së vaksinimit.

Sipas ministres, kjo kërkesë do i jepet Komitetit të Ekspertëve të cilët do të marrin një vendim në javët në vazhdim.

Nëse heqja e pasaportës së vaksinimit miratohet, ligji pritet të hyjë në fuqi më 1 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore