Shqipëria

Ahmetaj, procesi i rindërtimit vijon me institucionet publike


Zëvëndëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, njëkohësisht edhe ministër i Shtetit për Rindërtimit, fill pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të mërkurën e 20 prillit, ka bërë me dije se është marrë vendimi për të vazhduar me procesin e rindërtimit.

“Ne kaluam projektvendimet për procesin e rindërtimit. Në specifikë ka një seri institucionesh publike të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Konkretisht do të fillojë puna për Institutin e Policisë Shkencore”, bëri me dije Ahmetaj.

“Në të njëjtën kohë vazhdojmë të financojmë rindërtimin dhe rikonstruksionin në zonat e Durrësit dhe Kavajës”, vijoi Ahmetaj në fjalën e tij.

Sakaq ai tha se vetëm Bashkia e Durrësit  ka kërkuar edhe 16 milionë dollarë për të mbyllur të gjitha rikonstruksionet.

Ai theksoi se procesi i rindërtimit ka hyrë në një fazë shumë të avancuar dhe së bashku me njësitë e zbatimit, të cilat janë bashkitë e prekura nga tërmeti, do të vijojë puna.

Konkretisht rindërtimi dhe rikonstruksioni i shkollave dhe pallateve në kombinat, Bashkia e Tiranës, do të mbarojnë në vjeshtë, sipas Ahmetaj.

Ndër të tjera Ahmetaj u pyet nga gazetarët se në ccfarë faze ndodhet qeveria për sa i përket legalizimit të hashashit për përdorim mjekësor.

Ahmetaj u shpreh se qeveria është duke diskutuar me shtete më të zhvilluara dhe rezultatet konkrete do të bëhen publike në vijim.

Ndërsa theksoi se rritja e çmimit të energjisë do të jetë vetëm për ato familje që kalojnë 700 KW në muaj.

“Kush harxhon më shumë, paguan më shumë”, u shpreh Ahmetaj duke shtuar se, “ gati 5% e familjeve kalojnë mbi 700 kilovat. Familjet që harxhojnë nën këtë nuk ndryshon çmimi”.

“Jemi duke folur për kapacitet më të madh se ai normal. Këto familje do trajtohen me progresivitet”, e përmbylli Ahmetaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore