Lajme

“Nga përplasja me grupet kriminale në Veri tek përplasja me Perëndimin”, LDK pas sanksioneve të ShBA-së


Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ku tha se Kosovës i është anuluar pjesëmarrja në stërvitjen “Defender Europe 2023”, siç tha ai është “pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në Veri”.

“Nga përplasja me grupet kriminale në veri, Qeveria e Kosovës po përfundon në përplasje me vetë Perëndimin, duke rënë kështu në grackën e Serbisë. Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë”, thuhet në komunikatën e tyre.

“Përjashtimi i Kosovës nga ‘Defender 2023’ është hap në këtë drejtim”.

Ndërkaq, nga kjo parti thanë se “sulmet e bandave kriminale të drejtuara ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve raportues e ushtarëve paqëruajtës të KFOR-it tregojnë qartazi tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, institucioneve tona e vet trupave të NATO-s me mision në Kosovë”.

“Këto tendenca e këto veprime kanë qenë gjithmonë të njohura për Republikën e Kosovës”, shtuan ata.

Por e panjohura në këtë situatë sipas LDK-së, që mbetet “zhgënjyese dhe së këndejmi e rrezikshme e me pasoja afatgjata për vet shtetin tonë, mbetet qasja e Kryeministrit, Qeverisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera drejtuese në raport me aleatët historikë të Republikës së Kosovës në trajtimin e këtij provokimi në Veri”.

“Mungesa e koordinimit të ngushtë për ndërmarrjen e hapave politik në bashkërendim me shtetet mike, në veçanti në fushën e sigurisë, e ka vënë shtetin tonë, si rrallëherë më parë, në përplasje të hapur me aleatët më të mëdhenj”.

“LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që në këto momente kritike për vendin dhe të ardhmen euroatlantike të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër. Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët”, deklaruan ata.

Tutje, nga partia opozitare theksuan se arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi për liri, pavarësi e demokraci e deri tek përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, “kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë”.

“Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë”, nënvizoi LDK-ja.

“LDK-ja nuk do të lejojë, për asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë Qeveri, të rrezikojë themelet e shtetësisë”, përfunduan nga LDK.

Ndryshe, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjen “Defender Europe 2023”, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në Veri.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës”.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për ‘Defender Europe ’23’ dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”, tha Hovenier.

Ai tutje ka potencuar se SHBA-të janë duke menduar edhe për vendime të tjera që do të marrin në këtë drejtim për të qetësuar situatën në Veri.

“Ne i kemi kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Prandaj, ne po shqyrtojmë se çfarë do të jenë veprimet tona të tjera”, tha ai.

Hovenier: Kosovës i anulohet pjesëmarrja në Defender 23, dhe kjo vetëm pasoja e parë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore