Lajme

Nga granatimet ruse në një bllok banesash mes të vrarëve edhe fëmijë


Tre persona, dy prej tyre fëmijë, janë vrarë në një sulm në një bllok banesash në qytetin lindor të Rubizhne. Kështu ka deklaruar kreu i autoritetit ushtarak në Luhansk.

“Tragjedia ndodhi në mbrëmje, kur ushtria ruse intensifikoi granatimet. Një predhë shpërtheu në katin e pestë”, tha Serhiy Haidai, duke shtuar se zjarri shpërtheu në një biznes dhe një institucion arsimor.

Rajoni i Luhansk-ut është një nga objektivat kryesore të ushtrisë ruse, pasi ajo përpiqet të pushtojë zonat lindore që nuk u kapën nga separatistët e mbështetur nga Rusia në luftën që filloi në vitin 2014.

Në fundjavë Haidai tha se më shumë se 60 civilë ishin vrarë në rajon që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt.

Një nga qytetet më të goditura është Severodonetsk dhe kreu i ushtrisë rajonale tha se ishte rënë dakord për një korridor evakuimi si për atë qytet ashtu edhe për Rubizhne, por ai paralajmëroi njerëzit që përpiqeshin të largoheshin për rrezikun e bombardimeve të mëtejshme.

Kujtojmë që kjo është dita e 28-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së, mbi 10 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 13 mijë.

Ndërsa nga shifrat vendase, rreth 2 mijë e 500 civilë mendohet se janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.

Ndërsa OKB-ja ka raportuar të paktën 816 njerëz të vrarë dhe 1 mijë e 333 të plagosur që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore