Lajme

Nga e premtja vaksinimi kundër COVID-19 edhe në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë


Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga dita e premte nga ora 10:00 deri më 17:00, mund të bëhet vaksinimi në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë nga ekipet mobile për imunizimin e qytetarëve kundër COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë ju ka bërë thirrje qytetarëve që të “shfrytëzojnë edhe këtë mundësi shtesë për t’u vaksinuar kundër COVID-19, si rrugën më të sigurt për parandalimin e infektimit nga COVID-19”.

Sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë

“Një praktikë e këtillë do të fillojë së shpejti edhe në komuna të tjera të Kosovës”, thuhet në njoftimin e MSH-së në rrjetin social Facebook.

“MSh falënderon Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) për mbështetje për aksionin e nesërm të vaksinimit në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë”.

Ndërkaq, gjatë ditës së enjte, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka raportuar 18 persona të infektuar nga COVID-19 dhe asnjë të vdekur.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar gjithsejtë 23 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 510.

Numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 5 mijë e 560.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 833 mijë e 695 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 686 mijë e 238.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore