Lajme

Nga 300 në 600 – rritet numri i mësimdhënësve që kanë marrë pushim vjetor pa pagesë


Ilustrim

Me liberalizimin e vizave numri i mësimdhënësve që kanë kërkuar pushim vjetor pa pagesë – siç ua mundëson ligji – me synim largimin nga Kosova është rritur.

Kështu të paktën ka njoftuar nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë (SBAShK), Vjollca Shala.

Sipas saj numri i mësimdhënësve që kishin kërkuar pushim vjetor pa pagesë para liberalizimit të vizave sillej te 300, por me të liberalizuar vizat numri i punëtorëve të arsimit që kanë për synim eksplorimin e fateve të tyre jashtë Kosovës ka kapur shifrën e 600.

“Para fillimit të vitit shkollor 2023-2024 kërkesë në Drejtoritë Komunale të Arsimit kanë bërë mbi 300 mësimdhënës për pushim pa pagesë dhe ata kryesisht kanë bërë këto kërkesa me qëllim që të largohen nga Kosova dhe ta gjejnë veten diku në shtetet e ndryshme të Evropës. Mirëpo me liberalizimin e vizave tani kur po fillon gjysmë-vjetori i dytë i vitit shkollor 2023/4 ky numër është rritur, që sipas informacioneve që i kemi nga mësimdhënësit është diku 500 apo 600 mësimdhënës për këtë vit”, ka thënë ajo.

Kur një mësimdhënës kërkon të drejtën e pushimit vjetor pa pagesë, kjo i mundëson atij largimin për një vit pa e rrezikuar vendin e punës.

Mundësia e tillë përbën shans të mirë për ta që të hulumtojnë tregun jashtë Kosovës pa humbur mundësinë e rikthimit si arsimtar në Kosovë.

Kur mësimdhënësit patën kërkuar ngritje pagash, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pati thënë se nuk e meritojnë asnjë kacidhe më shumë, sepse nuk po i arsimojnë fëmijët si duhet.

Mbi 300 mësimdhënës kanë marrë pushim vjetor pa pagesë, po presin largimin nga Kosova pas 1 janarit 2024

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore