Lajme

Ideja e Kissinger: Ukraina në NATO me pak territore të dhëna Rusisë, fund i luftës


Për ish-Sekretarin amerikan të Shtetit, Henry Kissinger, sot një ekspert i diplomacisë në moshën 99-vjeçare, ka ardhur tashmë koha që Ukraina të jetë pjesë e NATO-s, pasi veprimet ushtarake të Rusisë, e legjitimojnë këtë skenar.

Këtë koment ai e ka përsiatur gjatë Forumit Ekonomik Botëror të Davos-it, ku ishte i ftuar virtualisht dhe foli pikërisht mbi tematikat e fundit të zhvillimeve në Ukrainë.

Një armëpushim dhe nevojën për negociata, Kissinger e ka hedhur në tryezë të diskutimeve që më parë.

Mirëpo, hapi final sipas tij, është bashkëjetesa e Kievit në kontinentin evropian, me të drejta të plota dhe si anëtare e organizatës më të madhe ushtarake në botë, aleancës së NATO-s.

“Nuk është më kuptimplotë neutraliteti i Ukrainës”, tha Kissinger gjatë panelit ku ishte i ftuar. “Ideja e një Ukraine të tillë, nuk ka më asnjë kuptim, në këto kushte ku ndodhemi sot”.

Këtu ai i referohet gjithë zhvillimeve që solli agresioni rus në Ukrainë me fillim në 24 shkurt 2022.

Gjithsesi, në rast të një armëpushimi të tanishëm, do të duhej të pranoheshin edhe avancimet ruse dhe fitimi i territoreve nga ana tyre. Ndaj, në këtë aspekt, sërish ka paqartësi se si tryezat duhet të zhvillohen, në rrethana ku është Ukraina, ajo e cila përjashton çdo dialog momentalisht.

Do të mundej gjithsesi ta joshte anëtarësimi në NATO vendin e Evropës Lindore, në këmbim të territoreve?

Për Kissinger, mundet edhe të jetë një “dalje e duhur” nga lufta. Por, këtu ai i referohet vetëm hyrjes së Ukrainës në NATO dhe jo humbjes së territoreve nga pala e Kievit.

Kështu, thirrja e tij ishte vetëm një: Ukrainën, s’ka më kuptim ta lënë jashtë NATO-s. Duhet anëtarësuar.

Guida e Kissinger-it për të shmangur një tjetër luftë botërore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore