Shqipëria

Nesër përfundojnë aplikimet për rekrutimet e Censit të Popullsisë


Të hënën e 7 gushtit do të përfundojnë aplikimet për rekrutimin e Censit të Popullsisë 2023, lidhur me pozicionet si anketues terreni dhe mbikqyrës IT.

Bëhet fjalë për 5 mijë e 240 anketues dhe 545 anketues rezervë për të cilët pagesa do të kryhet si punonjës mbështetës të administratës publike, klasa IV.

Instituti i Statistikave do të hapte më 22 maj thirrjen për rekrutimin e më shumë se 7 mijë personave që do të angazhohen në procesin e realizimit të këtij censi.

Censi i Popullsisë pritet të nisë këtë vit më 18 shtator dhe Instituti i Statistikave ka dhënë disa detaje mbi procesin në raportin vjetor të institucionit.

Instat-i llogarit se ajo është 16.9 milionë euro ku kostoja për banor është afër mesatares së vendeve evropiane.

“Kryerja e Censit të Popullsisë dhe Banesave mbështetet nga buxheti i shtetit dhe donatorë të ndryshëm. Kostoja gjithsej e këtij procesi është vlerësuar të jetë 16.9 milionë euro. Kjo përfaqëson mesatarisht 5.7 euro për banor, e cila korrenspodon me mesataren e vendeve evropiane që kryejnë një Cens tradicional. Mbi 50% e kostove janë për stafin e angazhuar në terren”, vlerëson Instat.

Pas zhvillimit të censit do të ketë edhe një anketë të dytë duke përdorur modele statistikore të rekomanduara nga organizatat ndërkombëtare, pas numërimit në terren që llogarit nivelin e besueshëmrisë dhe cilësisë së të dhënave.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit.

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censeve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censit të Popullsisë dhe Banesave.

Censi ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë.

Në mënyrë të ngjashme, ofron numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.

Situata në Ballkan

Me Serbinë që e ka nisur procesin e regjistrimit të të dhënave këtë tetor, Maqedonia e Veriut që e realizoi së fundmi, Kosova në vitin 2021, Shqipëria, Mali i Zi, dhe Bosnjë e Hercegovina janë ende në pritje.

Dy të fundit ndryshe nga Shqipëria, janë ndikuar nga faktorë të tjerë: përplasje mes deputetësh, ndërrim qeverish e të dhëna delikate që kanë ndikimin të drejtpërdrejtë në ruajtjen e establishmentit.

Kjo u vu re edhe në situatën e krijuar në Maqedoninë e Veriut, kur pas një sage me akuza të ndërsjella censi arriti që të realizohet.

Çfarë pritet në Shqipëri?

Shqipëria aktualisht po rritet shumë ngadalë për sa i përket popullsisë, me një normë rritjeje prej vetëm 0.34%.

Kjo, sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara, deri në vitin 2030, popullsia e Shqipërisë pritet të jetë 3.31 milionë.

Këto projeksione parashikojnë gjithashtu një tkurrje të popullsisë së vendit pas vitit 2032, me një rënie të vazhdueshme të popullsisë deri në fund të shekullit.

Ritmi vjetor i rritjes së popullsisë në Shqipëri është luhatur midis përqindjeve të vogla në të dyja anët e zeros që nga fillimi i shekullit.

Lidhur me këtë fenomen, pedagogia e Politikave Sociale, Merita Xhumari, ka shpjeguar për Albanian Post se në Shqipëri janë shfaqur tendencat e reduktimit të popullsisë, që lidhen si me shkaqe të uljes së numrit të lindjeve, por mbi të gjitha me emigrimin e popullsisë aktive.

Që nga viti 2019, OKB njofton se popullsia ishte afër një ndalese duke u rritur me vetëm 0.14% në vit. Migrimi neto është relativisht i ulët, por negativ, dhe faktori më i madh që kontribuon në sasinë e ulët ka qenë lindshmëria nën mesatare.

Ritmi në rënie i rritjes në Shqipëri pritet të vazhdojë edhe në vitet në vijim, ku norma do të bëhet negative rreth vitit 2027 dhe do të zbresë në afërsisht -0.66% në vitin 2050.

Megjithatë Xhumari tregohet optimiste se fenomeni i rënies së popullsisë mund të frenohet.

“Nga kjo perspektivë, Shqipëria për pozicionin gjeografik që ka, është atraktive dhe me burime të shumta. Hapja e negociatave të integrimit në BE do t’i shërbejë rritjes së standardeve te jetesës në vend, integrimit të politikave publike me ato të BE dhe rritjes së interesit nga investitorët e huaj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore