Lajme

Nën dritën e telefonit mjekët i ekzaminojnë plagët, vdes foshnja në spitalin e Mariupol-it


Skena që përsëriten pa pushim.

Përveç lodhjes fizike, gjendje emocionale e rënduar.

Një baba që rrok fytyrën në trupin e të birit – i vrarë në moshën 16 vjeç, teksa luante futboll. Një grua që dridhet nga tronditja me dorën e lënduar.

Por, një nga skenat më rrëqethëse, fiksuar nga fotografët e Associated Press të premten e 4 marsit, është ajo në Mariupol: një baba nxiton nëpër dyert e spitalit, duke mbajtur në krahë foshnjën të mbështjellë me një batanije të përlyer me gjak.

Nëna e Kirillit, 18-muajsh, vrapon pas tyre, disa hapa larg.

Qyteti i Mariupol-it në Ukrainë

Mjekët menjëherë rrethojnë fëmijën, në përpjekje për t’i ekzaminuar plagët, me dritën e telefonit të tyre, pasi spitali prej ditësh është pa energji elektrike dhe pa ngrohje.

Por, Kirill nuk ia del.

Qyteti i Mariupol-it në Ukrainë, tashmë i shkatërruar nga rrethimi dhe bombardimet ruse, gjendet në një emergjencë humanitare.

Prej pesë ditësh, nën sulmin e forcave ruse, aty nuk ka ujë, energji elektrike, ndërsa rezervat ushqimore po mbarojnë me ritme të frikshme.

“Ne punojmë më shumë se një javë pa pushim, me orare të tejzgjatura”, thotë mjeku Evgeniy Dubrov.

Duket se nuk ka asnjë mundësi shpëtimi: korridoret humanitare të hapura të shtunën në mëngjes u mbyllën menjëherë, sepse rusët vazhduan të qëllonin.

Pak ditë më parë, mjekët kishin marrë nga ambulanca një vajzë 6-vjeçare të plagosur, ndërsa nëna e saj i shikonte me një shikim të zbrazët.

Mjekët ishin përpjekur në çdo mënyrë për ta ringjallur fëmijën, derisa më në fund ata u dorëzuan.

Një mjek, drejtuar nga kamera e një gazetari të AP-së, tha: Tregoja Putinit!

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore