Lajme

Nehat Peci, kandidat i AAK-së për Mitrovicën


Ramush Haradinaj dhe Nehat Peci

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit do të garojë për të parin e qytetit të Mitrovicës me kandidatin e saj Nehat Peci.

Kandidaturën e Nehat Pecit e ka bërë të ditur vetë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Nehat Peci do t’i prijë Aleancës në garën për Mitrovicën”.

Ai ka bërë publike edhe një biografi të shkurtër të kandidatit të AAK-së për kryetar të Mitrovicës.

“Ai është jurist i njohur, me përvojë jetësore në jurisprudencë, e gjithashtu ka mbaruar Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Nehati është rritur me AAK-në. Ai paraqet vullnetin dhe qasjen e sinqertë të Aleancës për Mitrovicën, gjatë tërë historisë së saj politike”, thuhet në njoftimin e Haradinajt.

Ai tutje ka thënë se “Mitrovica jonë e zemrës, tani ka rastin të përcaktohet për një qeverisje që ka prioritet vetëm qytetarët dhe mirëqenien e tyre. Suksese e fitore!”, ka shkruar ai në Facebook.

Kurse, deri më tani, për të parin e Mitrovicës kandidaturat janë shpalosur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me kandidat Bedri Hamza dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me kandidat Armend Agolli.

Nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ende nuk ka kandidat zyrtar, ani pse ky qytet qeveriset nga ky subjekt politik, përkatësisht nga Agim Bahtiri.

Mitrovica po konsiderohet si njëri ndër qytetet ku do të ketë garë të fortë mes subjekteve politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore