Lajme

Në zyrat e Google-it lejohen veç punonjësit e vaksinuar


Në kompaninë teknologjike, Google, punëtorët do të duhet të vaksinohen para se të kthehen në zyrë.

Kështu ka bërë me dije vetë kompania e njohur amerikane.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se kjo politikë e Google-it do të fillojë në kampuset e tij brenda disa javësh dhe më pas do të shtrihet për 144 mijë punonjësit të ndodhur globalisht.

Mirëpo, shumë firma po vlerësojnë qëndrimet e tyre mbi vaksinimet.

Në qershor botuesi i Harry Potter, Bloomsbury, ka deklaruar se vaksinat do të ishin të detyrueshme për stafin në Mbretërinë e Bashkuar që do të rikthehet në zyra kur ato të rihapen.

Sundar Pichai, shefi ekzekutiv i Google-it, ka shkruar në një postim në blog se “kushdo që vjen për të punuar në kampuset tona do të duhet të vaksinohet”.

Mbi zbatimin e politikës së re ai ka thënë se “do të ndryshojë në përputhje me kushtet dhe rregulloret lokale dhe nuk do të zbatohet derisa vaksinat të jenë gjerësisht të disponueshme në zonën tuaj”.

Përveç kësaj, kompania do të shtyjë rihapjen e plotë të kampeve të saj globale nga 1 shtatori deri në 18 tetor për shkak të një rritjeje të rasteve të shkaktuara nga varianti Delta i coronavirus-it. .

Kurse njerëzit në rrethana të veçanta mund të aplikojnë për të punuar nga shtëpia deri në fund të vitit 2021.

Sidoqoftë, “BBC” zbulon se çdo punonjës i Google-it mund të aplikojë për të punuar përgjithmonë nga shtëpia nëse zgjedh ta transferojë zyrën.

Me kalimin e kohës, Google-i pret që në çdo javë të caktuar, 60 për qind e punonjësve do të punojnë në zyrë për disa ditë të javës, një e pesta do të punojë në zyra të reja dhe një e pesta tjetër do të punojë nga shtëpia.

Edhe firma të shumta të teknologjisë po peshojnë të mirat dhe të këqijat e lejimit të fuqisë së tyre punëtore për të vazhduar punën nga shtëpia.

Të tjera, kanë specifikuar se punëtorët që vijnë në zyrë duhet të vaksinohen.

Në qershor, botuesi Bloomsbury ka thënë se stafi duhet të ketë kryer vaksinime para se të kthehet në vendin e punës.

“Fakti i thjeshtë është se ky virus është ende jashtëzakonisht i rrezikshëm”, ka pohuar ai.

JP Morgan, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë në qershor se do të udhëzonte punonjësit të regjistronin statusin e tyre të vaksinimit në një portal të brendshëm të internetit, me punonjësit plotësisht të vaksinuar që lejohen të heqin maskat në punë.

Gjithashtu edhe bankierët e Goldman Sachs duhet të zbulonin se sa doza kanë marrë para se të ktheheshin në zyrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore