Shqipëria

Në Turqi ligj për “fake news”, në Shqipëri vetërregullim?


Fotografi nga Albanian Post

Parlamenti i Turqisë, mbrëmjen e vonë të 13 tetorit, votoi plotësisht një ligj për të dënuar me burgim personat të cilët përhapin lajmë të rreme, të njohura gjerësisht si “fake news” në botën mediatike dhe të cilat tek lexuesit mund të shkaktojnë dëm apo panik.

Arsyetimi i tillë, i çoi ligjvënësit turq nga kahu i shumicës, ta kalonin draftin pa marrë parasysh rekomandimet ndërkombëtare për “lirinë e medias dhe të fjalës” dhe pa mbështetjen e opozitës turke.

Debati i nxehtë, u ndez menjëherë në Ankara, duke e akuzuar presidentin Recep Tayyip Erdogan se po cenon dhunshëm të drejtat për informim dhe fjalë të lirë, duke ushtruar mbi qytetarët dhe gazetarët, një autocensurë të dëmshme për demokracinë e një vendi.

Po sa i përket detyrimit për të mos dezinformuar, në një epokë digjitale ku britmat “fake”, përhapen njëqindfish më shpejt se sa të vërtetat e pakundërshtueshme e të faktuara?

Për të, pak flasin…

Diskutimi në Turqi në fakt e ka prekur thelbësisht edhe botën perëndimore, që një ligj të tillë e ka dënuar.

Në Evropë apo në SHBA, media është kryesisht e vetërregulluar dhe probleme të tilla luftohen vetë brenda mjedisit profesional.

Prozhektorët, kjo çështje, nuk ka si të mos i kthejë edhe në Shqipëri, tek një diskutim me tepër rëndësi, siç është ai i rregullimit të mjedisit medial në vend, i cili pavarësisht se përmendet prej tre dekadash se do të bëhet përmes vetërregullimit, vijon të jetë një moçal me pseudo-mediume fantazëm, mes të cilave ka edhe nga ato, që “fake news”-in e kanë profesion.

Për këtë arsye, qendra e vëmendjes për nga rëndësia e mjedisit medial, në vitin 2018, u kthye një paketë ligjore e njohur gjerësisht si “antishpifje”, e cila në vetvete, në një pjesë të mirë të pikave, është shumë e ngjashme me atë turke, duke hequr thjesht prezumimin e burgimeve e dënimeve, të cilat në Shqipëri vendosen vetëm me vendim gjykate dhe jo a priori.

Kjo paketë, e prezantuar në foltoren e Parlamentit nga vetë kryeministri Edi Rama, synonte rregullimin e portaleve online.

I gjithë viti 2019 dhe një pjesë e mirë e 2020-ës, do të shihte në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik një kalvar diskutimesh, konsultimesh dhe një sagë të vërtetë ligjore.

Kjo paketë, ashtu si ajo turke, u përfol si e dëmshme nga Komisioni i Venecias, për shkak se ndërhynte drejtpërdrejt në punën e medias dhe e cenonte atë, në bazë të pretendimeve.

Nga vetë shoqatat e gazetarëve në Shqipëri – rreth 15 të tilla (të cilat janë një çështje më vete) – pandehej se kjo ishte një mënyrë autokratike për të censuruar portalet.

Mirëpo, në mënyrë jozyrtare, është bërë një përllogaritje se mbi 600 të tilla operojnë në gjithë vendin dhe shumica e tyre, janë redaksi fantazëm.

Për më tepër, është i njëjti pretendim që këto shoqata ngrenë në çdo rast, kur sillet në vëmendje (apo edhe në procedurë parlamentare), çështja e medias: Duhet lejuar vetërregullimi!

Ky i fundit, nuk është shqetësues thjesht sepse nuk ka ndodhur në 30 vjet, por sepse pavarësisht oshëtimës që lëshohet për ta lejuar procesin, asnjë hap konkret nuk është marrë asnjëherë nga vetë redaksitë.

Vijimësia, është jo vetëm ajo e lajmeve të kopjuara e vjedhura, por edhe ajo e lajmeve të rreme, lehtësisht të përgënjeshtrueshme, e të cilat megjithatë, ushtrojnë jo pak herë mbi qytetarët një presion të vazhdueshëm keqinformues dhe opinionbërës.

Muajt e fundit, nga vetë partnerët ndërkombëtarë dhe posaçërisht nga SHBA-të, është bërë me dijeni se mediume të financuara nga Kremlini operojnë në Ballkan, përfshi Shqipërinë dhe ndikojnë përmes lajmeve të tyre të rreme në krijimin e një mendësie pro-ruse në vend.

Në njërën anë, televizionet, rreth përmbajtjeve që ofrojnë, janë të monitoruara nga Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe ky është një faktor i mirë.

Kompetenca të pjesshme – ende – i ka edhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Shqipëri, për monitorimin e mediave.

Mirëpo, në një përgjigje zyrtare për Albanian Post, është sqaruar qartë disa herë se ky autoritet, nuk ka një kompetencë ligjore, për të shqyrtuar përmbajtjen e faqeve të internetit.

Pra, në shembull të thjeshtë, nëse një media shkruan një lajm “fake”, ajo nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore, përtej asaj morale dhe e vetmja rrugë që mund të ndiqet, është nëse personi apo institucioni i cenuar nga lajmi i rremë, denoncon në Gjykatë, ku sërish ka hallka të tëra, të cilat thuajse e pamundësojnë një dënim të qenësishëm.

Në fakt, kjo është rruga e vetme, të cilën e ndjekin edhe thuajse gjithë vendet perëndimore, ku as mendimi i censurës nuk ekziston, e jo më faktimi i një ligji të tillë shtrëngues.

Në Shqipëri, prej rënies së “antishpifjes”, askush nuk ka folur më për vetërregullimin e mediave.

Kjo, pavarësisht përhapjes së shpeshtë të lajmeve të rreme kudo.

Duke respektuar rekomandimet evropiane, në terma konkretë, në mos për rikthimin në tryezë për një paketë të mirëfilltë ligjore, a ka ardhur koha që media në Shqipëri, në mënyrë seriozë, të diskutojë mes vetes shmangien e “të rrejshmëve”?

Për ato serioze minimalisht, po…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore