Shqipëria

“Në Shqipëri ka më shumë vajza që studiojnë Inxhinieri”


Universiteti Politeknik i Kartagjenës (UPCT) po mirëpret Konferencën e Parë Ndërkombëtare mbi Barazinë në Arsimin e Lartë, e cila trajton çështje të tilla si barazia gjinore dhe diversiteti kulturor.

Për barrierën e dyfishtë që do të duhet të kapërcejnë si inxhinierë në profesione që okupohen ende kryesisht nga meshkujt, UPCT-ja ka trajtuar historinë e dy studenteve të huaja.

Njëra prej tyre quhet Mirsajde Xhaferri dhe është shqiptare.

Gjatë intervistës ajo shfaqet më optimiste se studentja tjetër me origjinë nga India.

Universiteti Politeknik i Kartagjenës

Xhaferri po ndjek disa lëndë të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe një Projekt Përfundimtar Master për trarët prej çeliku dhe betoni në UPCT.

“Në Shqipëri ne ishim shumica në krahasim me djemtë e klasës sime për diplomën e Inxhinierisë së Ndërtimit”, tregon ajo.

Një ndër shpresat e saj më të mëdha në të ardhmen është që kompanitë të vlerësojnë pesë gjuhët që ajo zotëron.

Të dyja studentet janë të zhgënjyera nga sasia e pakët e anglishtes që flitet në Spanjë.

“Nuk e prisja”, pohon Xhaferri, e cila rrëfen më tej se e ka përftuar spanjishten falë telenovelave.

Ajo siguron se “e ka gjetur veten në Spanjë dhe do të donte të qëndronte për të bërë doktoraturën”.

“Nuk kam vënë re ndonjë tronditje kulturore”, vazhdon e reja shqiptare, por i vjen keq kur e pyesin nëse është myslimane.

“Feja jonë nuk duhet të ketë rëndësi,” konfirmon gjithashtu studentja indiane.

“Në Indi ka më shumë vajza që zgjedhin karriera teknike”, shpjegon studentja aziatike, nga rajoni Punjab.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore