Shqipëria

Në kohë ‘rekord’ i hiqet imuniteti Sali Berishës, SPAK mund ta arrestojë


Sali Berisha mund të arrestohet nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

Kuvendi i Shqipërisë, me 75 vota pro, e ka miratuar kërkesën e SPAK-ut, për t’i hequr imunitetin Berishës, duke i lënë rrugë të hapur vendimit për arrestimin e tij, me kërkesë të prokurorëve.

Tashmë mbetet që prokurorët e çështjes të caktojnë nëse për Berishën do të ketë arrest të mirëfilltë dhe prangosje, apo arrest shtëpie.

Vetë shumicës në Kuvend, i mjaftuan thjesht pak minuta për të vendosur mbi Berishën, duke parë që ky i fundit nuk dëshiroi ta merrte fjalën për të zhvilluar një “mbrojtje” të figurës së tij.

Po ashtu, edhe deputetët e opozitës nuk pranuan të flisnin, apo edhe të dëgjonin raportet e Kuvendit për miratimin e kërkesës së SPAK.

Në një koment pas seancës ndërkaq, Berisha tha se nuk e njeh vendimin e Kuvendit të Shqipërisë, për t’i hequr atij imunitetin dhe për t’i hapur rrugë kërkesës së Prokurorisë së Posaçme SPAK, në mënyrë që të vendosë rreth ndryshimit të masës së sigurisë ndaj tij.

Për Berishën, Parlamenti i sotëm është antikushtetues, antidemokratik dhe e votoi heqjen e imunitetit të tij në kundërshtim me çdo procedurë ligjore.

“Sot Parlamenti vazhdoi veprën që dështoi më 9 shtator, dy vite më parë”, theksoi ai. “Por në qoftë se dështoi më 9 shtator, ju garantoj se sot do të jetë më i dështuar se kurrë. Ky vendim jo që nuk do të mundë të realizojë shkatërrimin  e opozitës, por do ta mobilizojë atë nën moton ‘o sot o kurrë’ duke i dhënë përgjigje të merituar”.

Deputetët demokratë krijuan tensione dhe zhurma, që para fillimit të seancës, por nuk mundën ta bllokonin vendimin e socialistëve për të hequr imunitetin e Berishës.

Ndërkohë që kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, po lexonte rendin e ditës, u ndezën njëkohësisht tymues nga deputeti demokrat, Flamur Noka.

Përleshjet me punonjësit e Gardës nuk kanë munguar gjithashtu, me Nokën, i cili vendosi karrige në foltoren e Kuvendit, me qëllim për të bllokuar fjalët e deputetëve.

Paralelisht me seancën, jashtë ambienteve të Parlamentit po zhvillohet edhe një protestë e mbështetësve të Berishës, ku vetë ky i fundit do të marrë pjesë.

Në grumbullim është vënë re edhe vajza e Berishës, Argita, e cila ka qenë në mbështetje të vazhdueshme të babait të saj në këtë kohë, duke u shfaqur publikisht në protestat e opozitës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore