Shqipëria

Në kërkim të Llallës


Zyrtarisht që prej 8 tetorit, ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, është listuar – në kërkim ndërkombëtar – nga autoritetet shqiptare.

Ndaj ish-kreut të Prokurorisë rëndon një masë prej dy vitesh burg dhe pesë vitesh përjashtim nga çdo post dhe funksion publik.

Më herët, policia shkoi për të zbatuar urdhrin e arrestit, si masë e vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), por pa e konkretizuar.

Historia vijoi me kërkesën për pezullim nga Llalla dhe përfaqësuesi i tij ligjor.

Ish-kryeprokurori reagoi një ditë pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar.

Llalla kërkoi pezullim dhe shtyrje të ekzekutimit të vendimit për dy vite burg nga SPAK, përmes avokatit të tij.

Kërkimi ndërkombëtar

“Në momentin e parë që konstatohet vendndodhja e personit në kërkim – që në këtë rast është një ish-prokuror – Zyra e Interpolit duhet t’ia përcjellë Ministrisë së Drejtësisë”, shpjegon për Albanian Post juristja Ardita Sokoli.

Sa i takon rolit të Interpol-it, në këtë rast, Sokoli sqaron se keqkuptimi më i zakonshëm në lidhje me njoftimet e kuqe të Interpolit është se ato nuk janë urdhërarreste ndërkombëtare.

Pra, roli i Interpol-it është vetëm koordinues midis policive të dy apo më shumë shteteve.

Duke iu kthyer situatës së ish-prokurorit Llalla, Sokoli shton se ekstradimi ndërkombëtar është një proces ligjor, me anë të të cilit një vend mund të kërkojë nga një shtet tjetër (vendi i kërkuar) dorëzimin e një personi që kërkohet për një vepër penale – në rastin e ish-kreut të Prokurorisë.

Juristja nënvizon se praktika e ekstradimit ndryshon shumë, në varësi të shteteve.

“Në terma teknike, ekstradimi përbëhet nga një fazë gjyqësore dhe një ekzekutive. Pasi një person është gjetur dhe arrestuar në vendin e kërkuar, çështja hyn në fazën gjyqësore. Gjatë fazës gjyqësore, një gjykatë do të përcaktojë nëse kërkesa për ekstradim plotëson kërkesat e traktatit të zbatueshëm të ekstradimit dhe ligjit të vendit të kërkuar. Nëse është kështu, autoriteti gjyqësor do të vendosë nëse personi mund të ekstradohet”, shpjegon më tej juristja për AP-në.

Simptoma “Haxhia”

Sokoli sjell në vëmendje rastin e ekstradimit të munguar të ish-truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhia, në vitin 2013.

Gjykatat turke, asokohe, shpjegon juristja bazuar në Konventën “Për ekstradimin”, nuk e pranuan ekstradimin e Haxhisë për në Shqipëri.

Konventa thekson se “kur pala kontraktuese i kërkon një pale tjetër kontraktuese ekstradimin e personit për të ekzekutuar dënimin apo urdhër-ndalimin sipas vendimit të marrë kundër tij në mungesë, pala së cilës i kërkohet ekstradimi mund të refuzojë ekstradimin për këtë qëllim nëse, sipas mendimit të saj, procedimet që çuan në këtë vendim nuk përmbushnin të drejtat minimale të mbrojtjes së njohura për çdo person të akuzuar për një vepër penale”.

Akuzat ndaj Llallës

Do të ishte Prokuroria e Durrësit, ajo që do të regjistronte procedimin e parë penal për ish-kryeprokurorin Llalla.

Në mars të 2018-ës, mbi të do të rëndonin katër akuza.

E para ishte ajo e pastrimit të produkteve të veprës penale, më pas e shpërdorimit të detyrës, mosdeklarimit të të ardhurave, si dhe mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi.

Më pas, u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda dhe SPAK.

Ai u akuzua nga SPAK-u për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Ish-prokurori u gjykua për veprën penale të fshehjes sё pasurisё. Ndërkohë, ishte vendosur dhe njё hetim pёr pastrimin e parave.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi për sekuestrimin e pesë pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit.

Ky vendim erdhi pas një kërkese të SPAK-ut.

Në përfundim të hetimit, SPAK vlerësoi se, ndaj tij, provohej vetëm akuza e “mosdeklarimit të pasurisë”.

Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vettingu-t.

Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë non grata, duke i ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore