Lajme

Ndotja e ajrit, kërcënimi kryesor për shëndetin global


Ndotja e ajrit përbën një rrezik më të madh për shëndetin global sesa pirja e duhanit ose konsumimi i alkoolit.

Ky rrezik përkeqësohet në rajone të caktuara të botës si Azia dhe Afrika, detajon një studim i publikuar të martën e 29 gushtit.

Sipas këtij raporti nga Instituti i Politikave të Energjisë të Universitetit të Chicago-s (EPIC) mbi cilësinë globale të ajrit, ndotja e grimcave të imëta – e emetuar nga automjetet, industria dhe zjarret – përfaqëson “kërcënimin më të madh të jashtëm për shëndetin publik global”.

Por pavarësisht këtij vëzhgimi, fondet e akorduara për luftën kundër ndotjes së ajrit përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të atyre, për shembull, të dedikuara për sëmundjet infektive, thekson raporti.

Ndotja e grimcave të imta rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të mushkërive, sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru ose kancerit.

Pajtueshmëria e përhershme me pragun e ekspozimit të grimcave të imta të vendosur nga OBSH-ja do të rriste jetëgjatësinë globale me 2.3 vjet, vlerëson EPIC, bazuar në të dhënat e mbledhura në vitin 2021.

Në krahasim, konsumi i duhanit redukton jetëgjatësinë globale me një mesatare prej 2.2 vjetësh dhe kequshqyerja e fëmijëve dhe e nënës me 1.6 vjet.

Në Azinë Jugore, rajoni i botës më i prekur nga ndotja e ajrit, efektet në shëndetin publik janë shumë të theksuara.

Sipas modeleve EPIC, banorët e Bangladeshit – ku niveli mesatar i ekspozimit ndaj grimcave të imëta vlerësohet në 74 g/m3 – mund të fitojnë 6.8 vjet jetëgjatësi nëse pragu i ndotjes do të ulej në 5 g/m3, niveli i rekomanduar nga OBSH-ja.

Kryeqyteti i Indisë, New Delhi, është “megalopoli më i ndotur në botë”, me një normë mesatare vjetore prej 126.5 g/m3.

Anasjelltas, Kina ka “bërë përparim të jashtëzakonshëm në luftën e saj kundër ndotjes së ajrit” nisur në vitin 2014, nënvizon për agjencinë “AFP” Christa Hasenkopf, drejtoreshë e programeve të cilësisë së ajrit në EPIC.

Kështu, ndotja mesatare e ajrit në vend është ulur me 42.3 për qind midis viteve 2013 dhe 2021, por mbetet gjashtë herë më e lartë se pragu i rekomanduar nga OBSH-ja.

Nëse ky progres vazhdon me kalimin e kohës, popullsia kineze duhet të fitojë mesatarisht 2.2 vjet jetëgjatësi, vlerëson EPIC.

Por në përgjithësi, rajonet e botës më të ekspozuara ndaj ndotjes së ajrit janë ato që marrin më pak mjete për të luftuar këtë rrezik, thekson raporti.

“Ka një hendek të thellë midis vendeve ku ajri është më i ndotur dhe atyre ku më së shumti burime janë shpërndarë kolektivisht dhe globalisht për të zgjidhur këtë problem”, shpjegon Christa Hasenkopf.

Nëse ekzistojnë mekanizma ndërkombëtarë për të luftuar HIV-in, malarian apo tuberkulozin, si Fondi Global që shpërndan 4 miliardë dollarë në vit në luftën kundër këtyre sëmundjeve, nuk ekziston asnjë ekuivalent për ndotjen atmosferike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore