Lajme

Ndizen qirinj e vendosen kurora lulesh në lokalin ku punonte Liridona Ademaj në Suedi


Deputeti i Parlamentit të Suedisë, Magnus Jakobsson, ka vizituar lokalin “Lejas Cafe” ku punonte e ndjera Liridona Ademaj në Suedi dhe në nderim të saj janë ndezur qirinj dhe vendosur kurora lulesh.

“Sot kemi vizituar memorialin e Liridonës në Lejas Cafe. Shumë persona erdhën vendosen lule dhe ndezën qirinj. Një moment i denjë përkujtimi”, shkroi ai në platformën X.

Jakobsson ka shtuar se e ndjera “ishte një person i mrekullueshëm” që vlerësohej nga të gjithë ata që e njihnin.

“U prefsh ne paqe”, ka theksuar tutje deputeti suedez.

 

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të dielën masën e paraburgimit prej 1 muaji (30 ditë) ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e 30-vjeçares në kryeqytet më 30 nëntor.

Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës dhe organizatori i vrasjes, akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, dorasi i identifikuar nga Policia e Kosovës, Granit Plava, akuzohet për “vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kushtrim Kokalla, akuzohet për “marrëveshje për të kryer vrasje të rëndë”.

Në njoftimin e gjykatës të publikuar në “Facebook” të dielën, thuhet ndër të tjera se bashkëshorti i viktimës ia kishte siguruar edhe armën dorasit. Ademaj, sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë mbrëmjen e 29 nëntorit, ndërsa ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes për shkak të plagëve vdekjeprurëse.

Tre të dyshuarit për vrasjen gjakftohtë të organizuar të 30-vjeçares e cila ka lënë pas vetes dy fëmijë, janë mbrojtur në heshtje në seancën para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa familjarët e viktimës nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancën e parë.

Kjo ngjarje e rëndë ka ngjallur shumë reagime, përfshirë nivelet e larta shtetërore dhe shoqërinë civile për shkak se krimi ka ndodhur pikërisht në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata kundër dhunës ndaj gruas.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Liridona Ademaj është vrarë me paramendim dhe se ishte grua.

“Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua. Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë”, shkroi Kurti në Facebook.

“Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore”, shtoi ai.

Kreu i qeverisë ka bërë thirrje që urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës, të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë për të martën e 5 dhjetorit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë kundër dhunës gjinore dhe femicidit, kundër një shoqërie të zhytur në krim simptomatik ndaj grave. Në Kosovë janë raportuar mijëra raste të dhunës në familje gjatë këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore