Lajme

Ndërtimi i spitalit të Prishtinës nuk është në plan as të filloj


Ilustrim

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, ende nuk ka një spital të vetin. Pacientët, shërbimet shëndetësore i marrin nga ai primar, pra në Qendrat e Mjekësisë Familjare, nga të cilat më pas vazhdohet për në shërbimet terciare, përkatësisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në vitin 2019, ministri i Shëndetësisë, Uran Isamili, së bashku me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilat, në atë kohë kishin nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës. Ky projekt parashihej të përfundonte në vitin 2021.

“Ky projekt parashihet të përfundojë brenda tre vjetësh. Ky spital e ka të ndarë tashmë buxhetin prej shtatë milionë euro nga Qeveria e Kosovës. Sigurisht buxheti do të rritet varësisht nga nevoja. Sa i përket lokacionit ende nuk është ndarë, por presim nga Komuna e Prishtinës ta ofrojë lokacionin”, kishte thënë Ismaili në vitin 2019.

Drejtori i Shëndetësisë Bujar Gashi tha për Albanian Post se “në vitin 2019 me Ministrin e Shëndetësisë Uran Ismajli kemi zhvilluar disa takime në mes të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komunës së Prishtinës”.

“Me aq sa kemi njohuri, në fillim të pandemisë vitin e kaluar ka përfunduar plani i fizibilitetit për Spitalin e Prishtinës dhe procedurat e tjera kanë mbetur pa u zhvilluar si pasojë e pandemisë”, ka shpjeguar Gashi.

Por, Qëndrim Arifi nga Iniciativa për progres që merret me monitorimin e punës në Komunën e Prishtinës, thotë se ky është një tjetër premtim në mesin e shumë të tjerave, të parealizuara nga ana e kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“INPO vlerëson se për realizimin e këtij projekti nuk ka ndonjë pengesë ligjore apo administrative, thjesht është mungesë e vullnetit, vizionit dhe profesionalizmit të ekzekutivit të komunës së Prishtinës”.

Arifi thotë se ndërtimi i këtij spitali, vështirë se do të filloj së ndërtuari edhe tani.

“Komuna e Prishtinës me 10 gusht të vitit 2019 ka nënshkruar kontratë për studimin e fizibilitetit për spitalin e qytetit, ndërsa ndërtimi i spitalit nuk ka filluar ende. Nga kjo mund të përfundojmë se është e vështirë të besohet se gjatë këtij mandati do të filloj ndërtimi i spitalit, duke pasur parasysh që vetëm fizibiliteti ka marr gati katër vite kohë”, tha Arifi.

Ai ka shtuar se edhe po të filloj procesi i ndërtimit të këtij institucioni shëndetsorë, sërish llogaritet si premtim i pa realizuar i kryetarit Ahmeti.

“Sidoqoftë edhe po të filloj ndërtimi konsiderojmë që kemi të bëjmë me premtim të pa realizuar, sepse premtimi ka qenë për ndërtim dhe jo për fillim të punëve apo për fizibilitet”.

Fajin kryesorë për mos ndërtim të spitalit të Prishtinës, Sekretari i PDK-së në Prishtinë, Arben Gecaj, ja hedhë ekskluzivisht kryetarit Shpend Ahmeti.

“Mendoj që jo vetëm spitali por shumë projekte të kryetarit të tanishëm nuk janë realizuar do të thotë qe 8 vite dhe ato që janë bërë deri sot janë krejtësisht bota të ndryshme jo për spitalin por edhe për projektet e vogla minimaliste më nuk flitet në qytet që nuk janë realizuar”, shprehet Gecaj.

Tutje ai shton se gjendja e Prishtinës është shumë me keq, “Faktikisht Prishtina është shumë me keq tani sesa në kohën e Isa Mustafës, dora e Shpendit nuk shihet askund në qytet”.

Shpend Ahmeti në zotimin e tij të 47-të kishte thënë se “do ta ndërtoj dhe funksionalizoj spitalin e kryeqytetit”.

“Themelimi dhe funksionalizimi i spitalit të qytetit- Prishtina, si kryeqytet ka nevojë edhe për shëndetin sekondar. Është i vetmi regjion nga regjionet e mëdha që nuk ka spital regjional”.

Tutje në këtë zotim ai thotë se, “Kjo do t’i ndihmonte qytetarët e Prishtinës që të mos kërkojnë ndihmë në vendet e tjera por edhe do të kursente QKUK nga shërbimet që realisht duhet të jenë shërbime të një spitali të qytetit”.

Për premtimin e ndërtimit të spitalit nga ana e komunës së Prishtinës, nuk dihet as lokacioni se ku do të ndërtohet ose kur do të fillojë të ndërtohet.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore