Shqipëria

Ndërtimi i autostradës së re Thumanë-Kashar, banorët sërish në protestë


Mëngjesin e kësaj të enjteje të 1 shkurtit, banorët e fshatrave Bilaj dhe Murqinë kanë protestuar për punimet që po behën për autostradën e re Thumanë-Kashar.

Ata janë shprehur se nuk janë kundër rrugës e zhvillimit dhe nuk i janë bërë pengesë as shtetit e as firmës, e cila ka mbi një vit që punon pa asnjë leje e pa asnjë rregull.

Por kanë thënë se firma ka devijuar projektin sipas dëshirës duke bllokuar rrugët 300 vjeçare të këtyre fshatrave prej rreth 2 mijë e 500 banorësh.

Ata kanë treguar se nuk ka pasur asnjë konsultë nga ana e firmës, A.RR.RR.SH apo Ministrisë së Transporteve me komunitetin e këtyre fshatrave që dëmtohen më shumë nga të gjithë.

Firma sot ka bllokuar dy rrugët kryesore, një prej të cilave është aks kombëtar, duke mos lënë nënkalime apo mbikalime për fshatin e fshatarët që do të jenë të detyruar të përshkojnë kilometra për të shkuar te tokat, pasi autostrada e ndan fshatin në dy pjesë.

Banorët kërkojnë një nënkalim në mënyrë që jetesa e tyre të mos vështirësohet e kostot e tyre të mos shtohen.

Po ashtu kërkojnë që firma të risistemojë të gjitha rrugët që ka shkatërruar dhe dëmin që ka sjellë për zonën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore