Lajme

Ndalimi i filmave shqiptarë në Luginë, “masë hakmarrëse për shkak të ngjarjeve në Kosovë”


Foto: Albanian Post.

Situata e krijuar në Veri, përveç pasojave që solli në politik, ka prekur edhe fushën e Kulturës. Në komunat shqiptare në Luginë të Preshevës filmat “Heshtja Vret” dhe “I pabesi” para se të shfaqen për audiencën, do të shikohen nga autoritetet e Serbisë, të cilat duhet të përcaktojnë nëse filmat kanë përmbajtje, sipas tyre, ilegale.

Këta dy filma ishte planifikuar që të shfaqeshin më 10 qershor në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc.

Por, ky ndalim ka ardhur për shkak se nga Policia ishte thënë se kanë marrë një raport se dy filmat “nxisin urrejtje dhe diskriminim”.

Për deputetin e vetëm të komunitetit shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, përmes kësaj sjellje tregohet diskriminimi ndaj shqiptarëve në këtë pjesë.

Sipas tij, ky ndëshkim vjen edhe si rezultatet i situatës së krijuar në Veri të Kosovës që nga 26 maji, kur kryetarët e komunave nisen punën nga zyrat e tyre, por me përcjellje të policisë.

Ndërsa, për njohësit e fushës së drejtësisë kjo është “shkelje e të drejtave të njeriut”.

Vazhdim i politikës diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve

Kamberi thotë për Albanian Post se një sjellje e tillë tregon për vazhdimin e politikës diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve.

“Diskriminimi nuk zgjedh fushë, ai shtrihet në të gjitha poret e jetës dhe është duke e ngushtuar hapësirën për jetë normale”, deklaron Kamberi për AP.

“Kjo është një masë hakmarrëse për shkak të ngjarjeve në Kosovë, për arsye se këta filma ishin të financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës”.

Deputeti sqaron se me një situatë të tillë të ngjashme ishin përballur edhe në komunën e Preshevës.

“Rastësi apo jo, fillimisht autoritetet lokale në Preshevë ndaluan shfaqjen e filmave në Shtëpinë e Kulturës. Ndërkohë prokuroria ‘vepron’ sipas fletëparaqitjes anonime se filmat përmbajnë elemente të urrejtjes ndëretnike”.

Përveç kësaj, për Kamberin ky është sulm i drejtpërdrejt ndaj kulturës shqiptare.

“Serbia pa gatishmëri për të respektuar të drejtat e pakicës shqiptare”

Juristi Anton Nrecaj, thotë se përmes një veprimi të tillë tregohet se Serbia s’ka gatishmëri për të respektuar të drejtat e njeriut.

Ai në një koment për Albanian Post pohon se janë pikërisht veprimet e tyre që shkelin zotimet ligjore që Serbia ka marrë për të drejtat e njeriut.

“Veprimi i autoriteteve të republikës së Serbisë për ndalimin, respektivisht censurimin e filmave në gjuhën shqipe të prodhuar nga Kosova tregon edhe një herë faktin se Serbia nuk është gatshme dhe nuk do të respektojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut e në veçanti të drejtat e pakicës shqiptare që jetojnë në luginën e Preshevës”.

“Veprimet e tilla bien ndesh me zotimet ligjore që Serbia ka marr për respektimin e të drejtave të njeriut”, thotë Nrecaj për AP.

Kjo tregon mjaftueshëm edhe për të drejtat që u jepen shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, pohon Nrecaj. Sipas tij, shqiptarët që jetojnë në këtë pjesë duhet të nisin një “betejë politike” për respektimin e të drejtave të tyre.

“Ky veprim është anti-ligjor dhe kundër vlerave demokratike Evropiane, dhe si i tillë tregon se shteti serb nuk do të dëgjojë fare për drejtat kulturore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

“Tashmë shqiptarët e Luginës se Preshevës, duhet të nisin betejën ligjore brenda në shtetin serb kundër shtetit për të vazhduar më tutje edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe duhet të vazhdojë edhe beteja politike e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës për të kërkuar nga Serbia që t’i respektojë të drejtat politike dhe kulturore të shqiptarëve që jetojnë në Serbi”.

Edhe, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, të shtunën kishte akuzuar shtetin e Serbisë që po shfaq ‘mosdurim nacional’, dhe se veprimi i autoriteteve serbe për të ndaluar shfaqjen është i “paprecedent dhe i papranueshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore