Shqipëria

Ndahet nga jeta ish-presidenti Nishani, Paloka: Respekti ynë do e shoqërojë kurdoherë


Një ndër reagimet e para pas ndarjes nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani, erdhi nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka.

“Një lajm i hidhur ka pak që u konfirmua. Bujar Nishani, ish-President i Republikës, ministër dhe funksionar në disa poste të rëndësishme të PD-së në vite, ka ndërruar jetë! Një fatkeqësi për familjen dhe për gjithë demokratët”.

Për Palokën, “respekti ynë për gjithçka dha për PD-në dhe për vendin, do e shoqërojë kurdoherë”.

Gjithashtu dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bledi Kasmi ka shkruar për ndarjen nga jeta të Nishanit.

“Sot e votova për të qenë pjesë e Kryesisë, me shpresën se do të rikthehej prapë mes nesh, por Zoti paska pasur të tjera plane për Bujarin Nishanin, një burrë shtetas dinjitoz, i thjeshtë dhe demokrat me zemër të madhe”.

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndërroi jetë, pasi prej muajsh ishte i shtruar rëndë në një spital në Gjermani dhe kaloi në vdekje klinike pa mundësi rikthimi.

Familja e Nishanit është ndodhur pranë tij në çastet e fundit.

Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.

Fillimisht, Nishani u shtrua në Senatorium dhe pas rehabilitimit të tij fillestar, ai u rikthye në spital për shkak se simptomat post-COVID e patën lënë me shenja pneumonie në mushkëri.

Gjendja e tij u stabilizuar për pak kohë. Por, më pas, ajo u përkeqësua.

Më 23 prill, ai u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit.

Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966 dhe mandatin presidencial, ai e mori me fillim në 24 korrik 2012 dhe e përmbylli më 24 korrik 2017.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore