Kosova

Ndahen 40 mijë euro për Epopenë e UÇK-së dhe shtesat në pagë


Në mbledhjen e 65-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë miratuar një sërë vendimesh, e ndër to dhe vendimi për ndarjen e 40 mijë euro për organizimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për organizimin e Epopesë së UÇK-së është formuar edhe Komisioni Organizativ. Kryesues i këtij komisioni do të jetë Anton Quni, u.d. Ministër i Mbrojtjes.

Ndërsa në përbërje si anëtarë do të jenë Bekim Jashari, Kryetrar i Komunës së Skenderajt, Vlora Dumoshi, u.d. Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Meliza Haradinaj, u.d. Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe Agim Veliu, Ministër i Punëve të Brendshme.

Në këtë komision po ashtu do të përfshihen edhe Zyra e Presidentit, Kuvendi i Kosovës, komuna e Prishtinës, Organizatat e Dala nga Lufta e UÇK-së, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Organizatat e Shoqërisë Civile.

Në këtë mbledhje të Qeverisë së Republikës së Kosovës po ashtu është miratuar vendimi për ndarje të mjeteve financiare për pagesën shtesë në pagë.

Këto mjete financiare do të ndahen për institucione dhe sektorë të ndryshëm që kanë pasur angazhim të shtuar në përballje me pandeminë COVID-19.

Për sektorin e arsimit ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë prej 3,000,000 € për pagesën e shtesës së parë për mësimdhënësit dhe personelin teknik/administrativ në sistemin para universitar.

Për sektorin e sigurisë, përkatësisht zyrtarët policorë, ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë prej 700,000 €, ndërsa për sektorin e emergjencave, përkatësisht zjarrfikësit, ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë totale prej 180,000 €.

Për sektorin social ndahen mjetet shtesë financiare në vlerë 78,000 € për pagesën e shtesave në pagë për punëtorët aktiv social në Qendrat për Punë Sociale.

Ndërsa, për sektorin shëndetësor ndahen shuma prej 100,000 € për pagesën e shtesave në pagë për profesionistët shëndetësorë që kryejnë shërbime shëndetësore në sektorin publik, 160,000 € për punëtorët teknik të sektorit privat (pastrimi dhe sigurimi fizik) që kryejnë shërbime të kontraktuara për institucionet publike shëndetësore, për dy muaj shkurt dhe mars 2021.

Kategoritë tjera të sektorit publik që janë të angazhuar në menaxhim të pandemisë dhe janë të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit nga COVID-19, që nuk janë pjesë e këtij vendimi apo vendimeve paraprake për shtesa të tilla, do të mund të trajtohen me vendime të veçanta duke filluar nga muaji mars 2021 e tutje.

Në mbledhje është thënë se obligohen te gjitha ministritë, komunat, Policia e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha masat për sjelljen e listave të aprovuara të të gjithë përfituesve nga ky vendim në thesar, përkatësisht në Ministri të Financave para datës 20 shkurt.

Miratim ka marrë edhe Strategjia e Mbrojtjes së Sigurisë, strategji kjo që riafirmon synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe bashkëpunimin me faktorët e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.

Ndër të tjerat që u miratuan në këtë mbledhje janë Platforma Vjetore e Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë për vitin 2021, nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kuvajtit, koncept dokumenti për fushën e Policisë Ushtarake, Strategjia Shtetërore e Republikës së Kosovës për Menaxhimin e Integruar të Kufirit 2020-2025 dhe Plani i Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit 2020-2023.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore