Përballje

NBA/ Vazhdon forma e dobët e Lakers, shënojnë fitore Chicago Bulls e Phoenix Suns


Një tjetër xhiro u zhvillua në ligën amerikane të basketbollit, NBA, ku pati spektakël dhe mjaft surpriza.

Los Angeles Lakers kanë pësuar humbjen e katërt në pesë ndeshjet e fundit, teksa u mposhtën në udhëtim te Atlanta Hawks me rezultat 129:121.

Pa yllin e tyre, LeBron James të lënduar, Lakers e patën të vështirë përballë Hawks, të cilët gjithashtu po kalojnë formë të mirë, pasi që morën fitoren e shtatë radhazi.

Më i dalluari te Atlanta ishte Trae Young me 36 pikë, pesë kërcime e 12 asistime, ndërsa te Lakers u dallua Malik Monk me 33 pikë, 10 kërcime e pesë asistime.

Milwaukee Bucks vs Denver Nuggets

Humbje të thellë ka pësuar edhe kampioni në fuqi, Milwaukee Bucks, që para tifozëve të tyre u mposhtën nga Denver Nuggets me 36 pikë diferencë 100:136.

Nikola Jokic ishte më i miri te Nuggets, duke shënuar 18 pikë, nëntë kërcime e 15 asistime, derisa te Bucks u dallua ylli i tyre, Giannis Antetokounmpo, me 29 pikë e nëntë kërcime.

Chicago Bulls u rikthye te fitorja, të cilët mposhtën në shtëpi Portland Trail Blazers, me rezultat 130:116.

Chicago Bulls vs Portland Trail Blazers

Nikola Vucevic shfaqi lojë të mirë për Bulls, i cili kontribuoi me 24 pikë dhe 14 kërcime, ndërsa për Blazers u dallua McCollum, duke shënuar 29 pikë.

Ndërkohë, skuadra më në formë në NBA është Phoenix Suns, të cilët morën fitoren e 10-të radhazi.

Suns këtë herë mposhtën para tifozëve të tyre, ekipin e San Antonio Spurs me vetëm pesë pikë epërsi, 115:110.

Phoenix Suns vs San Antonio Spurs

Chris Paul ishte më i dalluari te Suns, i cili shënoi 20 pikë, tetë kërcime e 19 asistime, derisa kontribuuan edhe me 28 pikë Devin Booker dhe Mikal Bridges me 26 sosh.

Ndërkaq, me formë të dobët po vazhdon edhe Utah Jazz, të cilët pësuan humbjen e pestë radhazi.

Jazz u mposhtën në udhëtim te Minnesota Timberwolves me rezultat të thellë 126:106, ku basketbollisti i Minnesota, Karl-Anthony Towns, ishte më i miri, duke arritur “triple-duble” me 31 pikë, 10 kërcime e 11 asistime.

Minnesota Timberwolves vs Utah Jazz

“Triple-duble” arriti edhe një tjetër basketbollist në këtë xhiro. Luka Doncic shënoi 34 pikë, 12 kërcime e 11 asistime në fitoren e ekipit të tij, Orlando Magic, me rezultat të ngushtë 110:108 ndaj Dallas Mavericks.

Në këtë xhiro, fitore shënoi edhe Detroit Pistons, të cilët mposhtën Cleveland Cavaliers me rezultat 115:105, kurse Los Angeles Clippers morën një sukses të rëndësishme ndaj Charlotte Hornets me rezultat 90:115.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore