Përballje

NBA/ Triumfojnë Warriors, Jazz e Bulls, mposhten Clippers


Orët e hershme të mëngjesit të së martës (me kohën tonë lokale), është zhvilluar tjetër xhiro e ligës më të fortë të basketbollit në botë, NBA.

Golden State Warriors po vazhdon me formë të mirë, të cilët në ndeshjen e fundit mposhtën Sacramento Kings, me rezultat 113:98.

Draymond Green ishte më i mirë për Warriors në këtë ndeshje, i cili arriti “triple-duble” duke shënuar 16 pikë, 11 kërcime dhe 10 asistime, derisa edhe ylli i tyre, Stephen Curry kontribuoi me 30 pikë.

Ndërsa te Sacramento u dallua me lojë të mirë Tyrese Haliburton, me 24 pikë, katër kërcime dhe 11 asistime.

Me këtë fitore, Warriors gjenden në vendin e dytë të Konferencës Perëndimore, ndërsa Sacramento pozicionohen në atë të 11-tin.

Utah Jazz vs Charlotte Hornets

U rikthye te fitorja pas dy humbjeve edhe Utah Jazz, të cilët mposhtën Charlotte Hornets me rezultat 112:102.

Ylli i kësaj ndeshje, ishte ai i Jazz, Rudy Gobert, i cili arriti “duble-duble”, duke shënuar 23 pikë e 21 kërcime.

Ndërsa te miqtë u dalluan LaMelo Ball me 21 pikë e 11 asistime dhe Miles Bridges me 21 pikë dhe 11 kërcime.

Me këtë fitore, Jazz pozicionohet në vendin e dytë të Konferencës Perëndimore, ndërsa Charlotte gjendet në vendin e tetë të Konferencës Lindore.

Chicago Bulls vs Houston Rockets

Vazhdon me formë pozitive edhe Chicago Bulls, të cilët mposhtën Houston Rockets me rezultat 133:118.

Më të dalluarit te Chicago ishin DeMar DeRozan me 26 pikë e gjashtë asistime dhe Coby White me 24 pikë, pesë kërcime e dy asistime.

Ndërsa te Rockets u dallua Christian Wood, i cili arriti “duble-duble” me 23 pikë e 11 kërcime.

Me këtë fitore, Chicago Bulls vazhdon të jetë në pozitën e dytë të Konferencës Lindore, ndërsa Houston Rockets mbetet në vendin e fundit të Konferencës Perëndimore.

Los Angeles Clippers vs San Antonio Spurs

Ndërkohë, vjen humbja e radhës për Los Angeles Clippers, të cilët u mposhtën në shtëpi nga San Antonio Spurs, me rezultat 92:116.

Basketbollisti i Spurs, Dejounte Murray, ishte ylli i mbrëmjes në këtë sfidë, i cili arriti “triple-duble”, duke shënuar 24 pikë, 12 kërcime dhe 13 asistime.

Philadelphia 76ers arriti të triumfojë në udhëtim te Boston Celtics me shifrat 103:108, ku më meritori për këtë sukses, ishte Joel Embiid, i cili arriti “duble-duble”, duke shënuar 41 pikë, 10 kërcime e pesë asistime.

Gjithashtu, fitore në udhëtim shënoi edhe Oklahoma City, duke mposhtur Memphis Grizzlies, me rezultat të ngushtë 99:102.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore