Përballje

NBA/ Suns dhe Jazz marrin fitoret e radhës, befasohet Warriors


Një tjetër xhiro interesante u zhvillua në ligën amerikane të basketbollit, NBA, ku nuk mungoi spektakli, por as surprizat.

Phoenix Suns morën fitoren e 58-të, e cila tashmë ia ka siguruar fazën play-off.

Suns këtë radhë mposhtën në udhëtim skuadrën e Sacramento Kings me rezultat 124:127, shifra këto që erdhën pas vazhdimeve, pasi që koha e rregullt përfundoi me rezultat të barabartë, 110:110.

Si çdo herë, Devin Booker ishte më efikasi në këtë sfidë, i cili realizoi 31 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime.

Ndërsa te Sacramento lojë të mirë shfaqi Davion Mitchell me 28 pikë, tre kërcime e nëntë asistime.

Në formë të mirë po kalon edhe Utah Jazz, të cilët shënuan fitoren e katërt në pesë ndeshjet e fundit.

Jazz këtë radhë shënuan fitore në udhëtim skuadrën e New York Knicks me rezultat 92:108.

Basketbollisti i Jazz, Donovan Mitchell, ishte ylli i mbrëmjes në këtë sfidë, duke realizuar 36 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime.

Ndërsa te Knicks u dallua kanadezi, Barrett, duke shënuar 24 pikë e shtatë kërcime.

Ndeshje tejet interesante dhe befasuese u zhvillua mes Golden State Warriors dhe San Antonio Spurs, e cila përfundoi në të mirë të këtyre të fundit me rezultat 108:110.

Pa Stephan Curry-n në skuadër, te Warriors më i dalluari ishte Jordan Poole me 28 pikë e pesë kërcime.

Ndërsa te Spurs u dallua Josh Richardson, i cili mbylli ndeshjen me 25 pikë.

Befasi e mbrëmjes ishte edhe fitorja e Toronto Raptors me rezultat 88:93 në udhëtim te Philadelphia 76ers.

Pascal Siakam me 26 pikëm 10 kërcime e pesë asistime dhe Precious Achiuwa me 21 pikë e nëntë asistime ishin më efikaset te Raptors.

Ndërsa te 76ers u dallua Joel Embiid me 21 pikë e 13 kërcime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore