Përballje

NBA/ Kampioni në fuqi rikthehet te fitorja, gjejnë suksesin edhe Clippers e Boston Celtics


Orët e hershme te mëngjesit të se enjtes (me kohën tonë lokale), është zhvilluar tjetër xhiro në ligën amerikane të basketbollit, NBA.

Pesë takime u zhvilluan në këtë raund, derisa ndeshja Chicago Bulls – Toronto Raptors, u anulua shkaku i rasteve me COVID-19.

Kampioni në fuqi i NBA, Milwaukee Bucks, është rikthyer te fitorja, teksa mposhtën Houston Rockets, me rezultat 126:106.

Jrue Holiday ishte më i dalluari te Milwaukee, duke shënuar 24 pikë, katër kërcime e 10 asistime, derisa te miqtë shfaqi lojë të mirë Christian Wood me 20 pikë e 11 kërcime.

Me këtë sukses, Milwaukee ngjitet në vendin e tretë të Konferencës Lindore, me 20 fitore e 13 humbje, ndërsa Huston Rockets renditen në vendin e fundit të Konferencës Perëndimore.

Ndërkohë, pas tri humbjeve radhazi, u rikthye te fitorja edhe Los Angeles Clippers, të cilët mposhtën në udhëtim Sacramento Kings, me rezultat 89:105.

Më i dalluari në këtë sfidë ishte basketbollisti i Sacramento-s, Tyrese Haliburton, i cili shënoi 22 pikë e 13 asistime, ndërsa te Clippers u dallua Eric Bledsoe me 19 pikë, tetë kërcime e shtatë asistime.

Me këtë fitore Clippers renditen në vendin e pestë të Konferencës Perëndimore, ndërsa Sacramento Kings mbajnë vendin e 12-të.

Boston Celtics ka ndalur ecurinë prej gjashtë fitoreve radhazi të Cleveland Cavaliers, të cilët i mposhtën me rezultat 111:101.

Basketbollisti i Boston-it, Jaylen Brown, ishte më i dalluari në këtë sfidë me 34 pikë, gjashtë kërcime e tre asistime.

Ndërkohë, me lojë të mirë u dalluan edhe Robert Willams që shtoi 21 pikë, 11 kërcime e shtatë asistime, si dhe Jayson Tatum që e mbylli ndeshjen me 18 pikë e nëntë kërcime.

Tek skuadra mysafire më efikasi ishte Darius Garland me 28 pikë, derisa Kevin Love shtoi 18 pikë e 12 kërcime.

Ndërkaq, fitore të rëndësishme arriti edhe Orlando Magic, të cilët mposhtën në udhëtim Atlanta Hawks shifrat 98:104.

Ndërsa, Oklahoma City Thunder shënoi fitore në shtëpi ndaj Denver Nuggets, me rezultat 108:94.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore