Sport

Napoli është gati t’i ofrojë 30 milionë euro për sulmuesin e Sassuolo-s


Skuadra e Napolit është duke kërkuar një futbollist për ta përforcuar fazën ofensive dhe i fundit në listë është sulmuesi i Sassuolo-s Giacomo Raspadori.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Itali, në ditët e ardhshme drejtuesit e klubit napolitan pritet ta paraqesin një ofertë në drejtim të Sassuolo-s, për ta liruar sulmuesin e tyre të talentuar.

Vetë presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, së fundmi ka bërë të qartë se dëshiron që ekipin ta formojë me futbollistë të rinj e të talentuar.

Siç raportohet nga Sky Sports Italia, Napoli është gati të bëjë një ofertë prej 30 milionë euro për Raspadori-n, por duket sikur ata do të përballen me një betejë të vështirë pasi Sassuolo nuk dëshiron ta shesë.

Ata me shumë mundësi do të mbesin pa sulmuesin kryesor të tyre, Gianluca Scamacca, i cili do të largohet gjatë kësaj vere, andaj nuk dëshirojnë të mbesin edhe pa Raspadori-n.

Kujtojmë që 22 vjeçari është produkt i akademisë së klubit të Sassuolo-s, i cili debutoi me ekipin e parë në vitin 2018.

Në sezonin e kaluar, Raspadori shënoi 10 gola dhe dhuroi gjashtë asistime në 36 ndeshje të luajtura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore