Lajme

Nagavci ua refozoi kërkesën prindërve që të ndryshoj pushimin për nxënësit


Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci

Këshilli i Prindërve të Kosovës, ka njoftuar se kishte kërkuar pushim për nxënësit që të mbahet më 4,5 dhe 6 janar , mirëpo ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, e kishte refuzuar një propozim të tillë.

Pushimi për nxënësit është caktuar të mbahet nga 27 janari e deri më 2 shkurt të vitit 2023.

“Propozimi i Këshillit të Prindërve ishte që ditët e planifikuara për pushim prej 27 janarit e deri më 2 shkurt 2023 të zhvendosen e të bëhet pushim më 4, 5 dhe 6 janar 2023. Kjo meqë (tradicionalisht) për vitin e ri ka më shumë frymë festive e pushimesh dhe kemi shumë mërgimtarë që vizitojnë Kosovën”.

“Me këtë kërkesë, e me këto arsye, i jam drejtuar Ministres së Arsimit, znj. Arbërie Nagavci. Por, Ministrja Nagavci e ka refuzuar kërkesën, duke dhënë arsyetime procedurash administrative. Gjykoj se kërkesa e Këshillit të Prindërve ka qenë e arsyeshme e mundshme për t’u realizuar por nuk ka pasur vullnet nga Ministrja për ta bërë këtë”, ka shkruar Këshilli në Facebook.

Shkolla “Faik Konica” në Prishtinë.

Megjithatë, Këshilli ka kërkuar nga prindërit dhe nxënësit që ta respektojnë vendimin e ministrisë së Arsimit dhe mësimi të vazhdojë nga 4 janari.

“Shkollat do të jenë të hapura prej 4 janarit 2023 dhe mësimdhënësit do të detyrohen të jenë në shkolla në ato ditë pune. Andaj mungesa e nxënësve vetëm jua komplikon proceset mësimdhënësve dhe menaxhmentit të shkollave, për çka nuk kemi qenë asnjëherë të interesuar”.

Më 3 tetor, kishte nisur mësimi në Kosovë, pasi Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, konkretisht kryetari i Këshillit të Grevistëve, Rrahman Jashari, pati bërë të ditur në një konferencë për media se greva e përgjithshme e nisur më 25 gusht në arsim dhe administratë publike është mbyllur.

Nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind janë deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.

Përveç punëtorëve të arsimit, që nga 25 gushti në grevë ishin edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Partitë opozitare dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kishin shprehur shqetësimin për grevën e mësimdhënies në sektorin publik.

Këshilli grevist po kërkonte që paga e mësimdhënësve të rritet prej 100 euro, derisa ta themelojë qeveria Ligjin e Vonuar të pagave.

Mbi 4 javë greva, kjo s’ka ndodhur qe 20 vjet në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore