Lajme

Nagavci apelon për mbajtjen e mësimit të shtunën: Ata që s’i zëvendësojnë s’kompensohen


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar se në rast se nuk do të filloj zëvendësimi i orëve të humbura për shkak të grevës së mbajtur nga SBASHK-u, do të detyrohen që mësimdhënësit të cilët nuk i zëvendësojnë të mos i kompensojnë.

“Kjo nuk ka të bëjë me ndëshkime por ka të bëjë me respektim të legjislacionit. Sigurisht inspektorët e Arsimit nesër do të jenë në terren ne kemi pasur mirëkuptim dhe kemi realizuar pagesat me avans, nëse nuk mbahet dita e mësimit, sigurisht se nuk do të ketë edhe kompensim. Kjo nuk është ndëshkim por është obligim për të respektuar ligjin”, deklaroi Nagavci.

Ajo është shprehur e bindur se kompensimi i orëve të humbura për shkak të grevës së mbajtur do të filloj të shtunën e 15 tetorit.

“Ministria e Arsimit në bazë të kompetencave që ka, ka nxjerrë kalendarin për vitin e ri shkollor dhe të gjithë e dinë që 22 ditë ka humbur mësimi dhe është një humbje e madhe dhe patjetër se duhet të kompensohen orët e humbura. Kushdo që bën thirrje për mosmbajtje të mësimit jo vetëm që tregon papërgjegjshmëri por bën edhe vepër penale”, tha Nagavci për mediat.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Sipas saj, për shqetësimin e Komunave se mbajtja e orëve gjatë vikendit do të ketë kosto shtesë nga ministria e Arsimit janë menduar të gjitha rrethanat.

“Ministria e Arsimit dhe Grupi punues që ka bërë kalendarin e ri shkollor, i ka marrë parasysh të gjithë faktorët. Është e rëndësishme se kalendari nuk bëhet sipas dëshirave e as pa planifikim. Janë edhe çështje teknike, pra do të sigurohemi që secila orë e humbur të mbahet gjatë ditëve në vijim dhe janë edhe çështjet praktike”.

“Kushdo që propozon që mësimi të mbahet në atë mënyrë që të shtohet vetëm një orë në fund të ditës, ose tregon që nuk kupton sesi organizohet procesi mësimor ose tregon që po bën thirrje që të bëhet një mashtrim sepse është e pamundur që të mbahet vetëm një orë në fund të ditës”.

Ministria e Arsimit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se e shtuna e 15 tetorit, do të jetë ditë punë për mësimdhënësit dhe se nxënësit duhet të jenë në shkolla për të kompensuar orët e humbura nga greva e përgjithshme e shpallur nga ana Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës më 25 gusht.

Por, me të njëjtën gjë nuk po pajtohet Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e cila ka bërë të ditur, duke u thirrur në nenin 34 të pikës së tretë të kontratës kolektive, se kompensimi i orëve mësimore nuk do të ndodhë të shtunën, ashtu siç po e kërkon Ministria e Arsimit.

Madje kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, vendimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e kishte konsideruar si të ngutshëm kur fjala bie për zëvendësimin e orëve mësimore.

Jasharaj kishte bërë të ditur se për këtë ekziston edhe një kontratë kolektive e nënshkruar në mes të SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit, në të cilën specifikohet fakti se “orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen, përveç nëse palët nënshkruese arrijnë marrëveshje të veçantë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore