Lajme

Vazhdon saga, Ministria e Arsimit: Të shtunën ditë pune, nxënësit në shkolla  


Arbërie Nagavci

Ministria e Arsimit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se e shtuna e 15 tetorit, do të jetë ditë punë për mësimdhënësit dhe se nxënësit duhet të jenë në shkolla për të kompensuar orët e humbura nga greva e përgjithshme e shpallur nga ana Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës më 25 gusht.

Por, me të njëjtën gjë nuk po pajtohet Sindikata e Bashkuar e Arsimit, e cila ka bërë të ditur, duke u thirrur në nenin 34 të pikës së tretë të kontratës kolektive, se kompensimi i orëve mësimore nuk do të ndodhë të shtunën, ashtu siç po e kërkon Ministria e Arsimit.

Madje kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, vendimin e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e kishte konsideruar si të ngutshëm kur fjala bie për zëvendësimin e orëve mësimore, duke bërë të ditur se për këtë ekziston edhe një kontratë kolektive e nënshkruar në mes të SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit, në të cilën specifikohet fakti se “orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen, përveç nëse palët nënshkruese arrijnë marrëveshje të veçantë”.

Megjithatë me të njëjtën gjë nuk pajtohet Ministria e Arsimit.

Sipas tyre gjatë një muaji të grevës, “janë humbur gjithsej 22 ditë mësimi apo rreth 12 për qind e ditëve të vitit shkollor të cilat duhet të zëvendësohen në bazë të kalendarit të rishikuar të vitit shkollor 2022-2023”.

“MASHT-i kërkon që të gjitha shkollat të organizohen sa më mirë për mbajtjen e orëve të humbura për shkak të grevës, ashtu siç parasheh kalendari i rishikuar. Inspektorati i Arsimit do të jetë në terren dhe do ta mbikëqyr zbatimin e kalendarit të vitit shkollor”.

Sipas Ministrisë së Arsimit, çdo diskutim për mos mbajtje të mësimit, është jo vetëm i dëmshëm, por edhe qëllimkeq dhe tendencioz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore