Sport

Nacho, pesimisti i pathyeshëm


Historitë e Santiago Posteguillo-s në Romën e lashtë flasin për individë që refuzonin të dorëzoheshin, individë për të cilët dorëzimi nuk ishte opsion.

Nëse një futbollist do të merrte pjesë në ato libra, atëherë ai do të ishte Nacho Fernandez, mbrojtësi i pathyeshëm i Real Madrid-it.

Ai e nisi sezonin shumë mirë, duke qenë kontribues edhe në sulm në fitoren 4-1 të Real Madrid-it përballë Alaves-it.

Trajneri i Real Madrid-it, Ancelotti, rezervoi disa fjalë të mira për të pas përfundimit të ndeshjes.

“Unë gjithmonë them se ka dy llojë të mbrojtësve: optimist dhe pesimist”, u shpreh Carlo.

“Nacho është pesimist, sepse ai tërë kohën mendon se diçka e keqe do të ndodhë”, vazhdoi ai, “kjo gjë e mban atë të fokusuar gjatë gjithë kohës”.

31-vjeçari e mbylli ndeshjen përballë Alaves si kapiten, pas zëvendësimit të Jovic për Benzema-n.

Nacho ka filluar sezonin e tij të 12-të me Real Madrid-in, në një rrugëtim të gjatë, që shpesh ka qenë i vështirë për të në kryeqytetin spanjoll.

Shumicën e kohës te klubi madrilen, ai ka qenë zgjedhje e dytë pas lojtarëve si Ramos, Varane dhe Pepe.

Ai ka pasur shumë oferta larg Madrid-it, por Nacho gjithmonë besoi se fati i tij do të ndryshojë një ditë.

Fillimi i vitit 2021 e pa Nacho-n të kalonte edhe vështirësi tjera, kur u infektua me COVID-19 gjatë muajit janar.

Por, pas rikthimit, ai u emërua në 11-shen startuese përballë Huesca-s, duke e shfrytëzuar mundësinë me një performancë shumë pozitive.

Që nga ajo kohë, ai nuk e ka kthyer kokën prapa, duke luajtur çdo ndeshje në La Liga përveç takimit kundër Getafe-s, ku ishte i suspenduar për shkak kartonësh.

Nacho kërkon t’i bashkohet listës së futbollistëve që kanë luajtur vetëm me Real Madrid-in gjatë karrierës, pas Hugo Sanchis.

Siç ka treguar ai gjatë gjithë karrierës, kjo arritje për të është shumë e mundshme.

Pas shumë kohësh, Nacho tani është mbrojtësi më i rëndësishëm i Real Madrid-it, dhe këtë detyrë po e kryen shumë mirë.

Përshtatur nga Marca për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore