Lajme

MV/ Zaev-Mickoski, shtyhet për në shtator regjistrimi i popullsisë


Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, zhvilloi një takim me kryetarin e partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së, Histijan Mickoski. Ata vendosën se procesi i regjistrimit të popullsisë ose censusi i popullsisë do të zhvillohet gjatë periudhës 5 deri më 30 shtator 2021.

Marrëveshja u arrit pasi prioritet tani për tani është procesi i vaksinimit masiv të popullsisë. Kjo e fundit do të nisë ditën e mërkurë 31 mars.

Gjithashtu raportohet se pritet që të ndodhin dhe ndryshimet e nevojshme ligjore. Mickoski ka pasur disa herë kundërshtime në lidhje me ligjin për regjistrimin e popullsisë.

Ai tha se kjo gjë do të lihet në dorën e juristëve në parlamentin e RMV-së.

Ndërsa, deri më tani janë vetëregjistruar online 171 mijë e 620 shtetas të RMV-së që jetojnë jashtë vendit.

Enti Shtetëror i Statistikave ka njoftuar se, gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 11 mijë e 101 emigrantë.

Më herët, Zaev deklaroi se do të arrihet një zgjidhje e përbashkët, që procesi të zbatohet pa pengesa, me mbrojtje të plotë të shëndetit të qytetarëve dhe të regjistruesve.

Po ashtu, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të regjistrohen.

Sipas Ramës, nga ky regjistrim do të varet fuqia e mëtejshme kushtetuese e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Mbi vendimmarrjet e fqinjëve, gjithashtu.

“Shkruani emrin tuaj. Emrin e nënës dhe babës tuaj, që ju dhanë identitet shqiptar. Ne kemi një defekt të madh: nuk vlerësojmë gjërat e vogla. Duke menduar për fitore të mëdha, harrojmë beteja të vogla. Nëse humbim këtë betejë sot, nesër kostoja për të gjithë shqiptarët në Maqedoni, do të jetë shumë e madhe”.

Po ashtu, edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë thirrje që të regjistrohen të gjithë shqiptarët.

“Një regjistrim i saktë i mërgatës shqiptare është i rëndësishëm për të reflektuar në kushtetutë dhe ndikon në jetën e bashkëkombësve tanë”.

Procesi i regjistrimit të popullsisë

Më 23 janar, Qeveria e Zaevit miratoi projektligjin për Regjistrimin e Popullsisë dhe Familjeve.

Ky projektligj u miratua nga një shumicë prej 62 votash nga 120 anëtarë. Partia e krahut të djathtë të opozitës e ka bojkotuar votimin.

Presidenti i RMV-së, Stevo Pendarosvki, nënshkroi më 26 janar, dekretin për shpalljen e Ligjit për regjistrim të popullsisë, amvisërive dhe banesave. Nënshkrimi u bë, pasi u konsultua me ekspertët e fushës juridike.

Paraprakisht, presidenti, theksoi faktin se ligji duhet të kishte mbështetjen e të gjitha partive politike, të RMV-së.

“Procesi duhet të jetë statistikor, në mënyrë që secila parti, që do të vijë në pushtet, të mos e kontestojë apo të ndryshojë Kushtetutën e vendit”.

Projektligji u shty nga koalicioni i Social Demokratëve drejtuar nga kryeministri i vendit. Ky koalicion përfshin partitë etnike shqiptare.

Partia e opozitës u zotua se do të mblidhte nënshkrime nga populli për të anuluar legjislacionin. Ajo paralajmëroi se nuk do t’i njihte rezultatet nëse regjistrimi vazhdon. Pasi, e konsideron përmbajtjen e tij, si proces të politizuar.

Më 8 shkurt, ajo dorëzoi në Kuvend, nënshkrimet e nevojshme për shfuqizimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë.

Përplasja kryesore mes partive, ka të bëjë me dyshimet e VMRO-DPMNE-së, për numrin e shqiptarëve që jetojnë në RMV.

Në Kushtetutën e RMV-së, shqiptarët, cilësohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga ajo maqedonase. Mbi këtë bazë, janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, të përfaqësimit, të drejtat kulturore etj.

Procesi i parashikuar pritej se do të realizohej, nga 1 deri më 20 prill, të vitit 2021.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në vend është mbajtur në vitin 2002. Sipas të cilit, numri i popullsisë, ishte rreth 2 milionë e 23 mijë. Gjatë vitit 2011, filloi procesi i regjistrimit, por anëtarët e komisionit regjistrues dhanë dorëheqje kolektive dhe të parevokueshme. Për pasojë, procesi u ndërpre. Shkak ishte përplasja mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit.

Lidhur me debatin për regjistrimin, ka pasur reagim dhe nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Kate Byrnes. Byrnes, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm miratimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore