Shqipëria

Muzeu Kombëtar organizon tryezën “Të gjithë të përfshirë në trashëgiminë kulturore”


Në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, 29 Shtatori, dhe Ditëve Evropiane të Trashëgimisë 2021, 27 Shtator – 03 Tetor, Muzeu Historik Kombëtar dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizuan tryezën e rrumbullakët me temë: “Të gjithë të përfshirë në trashëgiminë kulturore”.

Ky aktivitet pati si pikësynim të trajtonte gjithpërfshirjen e komunitetit në trashëgiminë kulturore.

Në një shoqëri demokratike ka rëndësi të madhe barazia dhe krijimi i shanseve të barabarta për të gjithë.

Në këtë aspekt, Muzeu Historik Kombëtar, si institucioni më i madh i memories kombëtare në vend ndër vite, ka zhvilluar një sërë aktivitetesh, të cilat kanë synuar sensibilizimin e opinionit publik për gjithpërfshirjen e komunitetit në trashëgiminë kulturore.

Të pranishëm në këtë tryeze ishin përfaqësuesit më në zë të botës akademike të Shqipërisë, si Akademiku Shaban Sinani, Akademiku Vasil Tole, Prof. Dr. Neritan Ceka, Prof. Dr. Irakli Koçollari, si dhe Kompozitori Prof. Dr. Eno Koco.

Në fjalën e tij hapëse, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, pasi përshëndeti të ftuarit në këtë event, u ndal në rolin gjithpërfshirës që luan institucioni që drejton në rrafshin e trashëgimisë kulturore.

Ndër të tjera, ai tha se: “Muzeu nuk është një koleksion privat apo një ndërmarrje tregtare, por një institucion kulturor publik, ku fondet e grumbulluara me kujdes kanë karakter shkencor dhe vihen në dispozicion të publikut, pa dallim race, gjendje shoqërore apo kulturore, sipas një plani kohor të saktësuar”.

Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, në fjalën e tij foli për rëndësinë e etnomuzikologjisë shqiptare dhe rëndësinë që ajo zë në memorien historiko-kulturore të një vendi, pasi etnomuzikologjia, ashtu si gjuha e folur, përbëjnë një ndër bazat kulturore dhe identitare të një kombi.

Akademiku Shaban Sinani u ndal në aspektet e qasjes identitare të shqiptarëve, marrëdhëniet e tyre me të huajt, si dhe në marrëdhëniet e tyre me vetveten.

Ai shtoi se në këto vite ka pasur një hov zhvillimi i kërkimit shkencor në kuadër të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të vendit.

Ndër të tjera shtoi se ka akoma shumë për të bërë në këtë kuadër, pasi pasuria shpirtërore dhe materiale e vendit është e një game dhe larmirshmërie të gjerë.

Arkeologu Neritan Ceka, në fjalën e tij, bëri një pasqyrim të trashëgimisë kulturore dhe materiale të vendit.

Ai u ndal në ruajtjen dhe konservimin e monumenteve të kulturës dhe siteve të ndryshme arkeologjike në mbarë vendin, të cilat përbëjnë një pjesë esenciale të kësaj trashëgimie.

Irakli Koçollari u ndal në aspektet e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të diasporës shqiptare.

Ai vuri theksin në rëndësinë që mbart kjo trashëgimi jashtë kufijve të vendit, pasi jo vetëm që shërben si një urë lidhëse ndërmjet kulturave të ndryshme, por gjithashtu tregon më së miri karakteristikat e veçanta të trashëgimisë sonë shpirtërore dhe materiale.

I ftuar në këtë aktivitet, kompozitori Eno Koço, njohës i fushës së muzikologjisë, foli për fuqinë që arti dhe muzika mbartin në vetvete si përcjellëse e identitetit artistiko-kulturor të një populli dhe sesi përcillet nëpër breza, duke marrë trajta dhe forma nga më të ndryshmet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore