Lajme

Murati të enjten në interpelancë për rishikimin e buxhetit dhe rritjen e pagave në sektorin publik


Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur të mbaj seancë më 22 qershor, me vetëm një pikë të rendit të ditës, interpelancë ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Interpelanca ndaj tij do të jetë për rishikim të buxhetit dhe rritjen e pagave.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, pas mbledhjes së kryesisë.

“Të enjten do të mbahet një seancë e rregullt me një pikë të rendit të ditës, me interpelancën për ministrin e Financave, të cilën e ka kërkuar AAK. Kërkesa jonë bazohet në dy çështje të rëndësishme. E para lidhet me bllokimin total që qeveria e Kosovës ia ka bërë investimeve publike kapitale në vend”.

“Është e pashpjegueshme të shpërndahen paratë e taksapaguesve në forma të ndryshme dhe të bllokohet një proces i tërë i investimeve kapitale në komuna dhe në nivel qendror”, tha Tahiri.

Në këtë kërkesë ai ka sqaruar se përfshihet edhe rritja e koeficientit.

“Si kërkesë të dytë në këtë interpelancë e kemi kërkesën tonë për rritjen e koeficientit në 129 euro nga 105 euro. Kjo ka qenë kërkesa jonë dhe amendamenti ynë kur është përpiluar buxheti”.

“Koeficienti prej 105 euro e dëmton secilin zyrtar veç e veç dhe me inflacionin që e kemi ne rekomandojmë që ky koeficient të përshkruhet si koeficient për të rregulluar sadopak këtë ligj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore