Lajme

Murati: Rishikimi i buxhetit ka mundësuar të zgjerohen skemat shtesë për fëmijët


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës bëri të ditur se rishikimi i buxhetit ka mundësuar të zgjerohen skemat shtesë për fëmijët.

“Për shkak të kalimit të rishikimit të buxhetit, do të kemi mundësi zgjerimin e skemave për shtesa për fëmijë nga muaji i ardhshëm sepse me hyrje të rishikimit të buxhetit tash kemi edhe fonde të mjaftueshme”.

Sa i përket tërheqjes së trustit pensional ai ka deklaruar se tashmë është dhënë nga Qeveria.

“Ne si qeveri tashmë kemi dhënë vendimin tonë se pse kjo çështje nuk duhet të kaloj dhe nuk duhet të shkohet tutje sepse shkatërrohet një institucion e me atë institucion shkatërrohet edhe e ardhmja e pensionistëve”, ka thënë Murati.

Kuvendi i Kosovës.

Sipas tij, tërheqja e Trustit do të shkatërroj sistemin pensional të Kosovës.

“Çështja që është duke u diskutuar sot është një projektligj i cili është vijimësim i një praktike të krijuar dy vite më herët për të rrënuar themelimin e një institucioni pensional që e kemi në vend”.

“Shumë vite më parë nuk kemi pasur një sistem pensional, tash që e kemi bërë një sistem pensional tonin po dojmë me e rrënu vet”.

Ndërsa, ka thënë se rreth këtyre dilemave të cilat po i sqaron ai janë dhënë sqarime shumë më herët.

“Këto cështje dhe këto dilema janë sqaruar dhe shpjeguar shumë mirë qysh para 2 mijë e 400 vite nga Platoni”.

Murati shtoi se, “kjo që po kërkohet të bëhet veç ekonomi nuk është”.

Ndryshe, me 16 qershor kanë protestuar dhjetëra punëtor të Korporatës Energjetike të Kosovës, me kërkesën për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve personale nga Trusti.

Me thirrjet “Zgjedhjet vijnë prapë, ti do të dënohesh”, “Unë të votova ty, ti voto Trustin”, “Trusti është i joni, jo i qeverisë”, protestuesit e indinjuar kishin mbushur sheshin e kryeqytetit duke marshuar drejtë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore