Lajme

Murati: Kosova, shteti me nivelin më të ulët të borxhit shtetëtor në Evropë


Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook” të dielen, ka thënë se Kosovë është bërë shteti me nivelin më të ulët të borxhit shtetëtor në kontinentin evropian.

“Falë disiplinës fiskale e mirëmenaxhimit të parasë publike, kemi arritur që të ndryshojmë trendin e borxhit shtetëror duke e kthyer sërish në nivele të para-pandemisë. Një konsolidim i tillë është vlerësuar lart edhe nga institucionet ndërkombëtare”, ka shkruar ministri.

“Ky konsolidim së pari e mban nën kontroll koston e kamatave, sepse sa më pak borxh aq më pak pagesë e kamatave, dhe së dyti, mundëson kushte më të favorshme financimi për huamarrjet e reja në krahasim me të tjerët, sepse kemi dëshmuar qëndrueshmëri dhe mirëshpenzim të parasë publike”.

Borxhi i përgjithshëm përkufizohet me Ligjin për Borxhet Publike, pra është tërësia e borxhit shtetëror dhe borxhit komunal. Borxhi shtetëror mund të jetë borxh i drejtpërdrejtë apo borxh i nën-huazuar. Borxhi i Kosovës edhe në të kaluarën është konsideruar më i ulëti në rajon dhe më gjerë.

Ligji për Borxhet Publike përcakton që në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV) të shtetit. Edhe sivjet, borxhi shtetëror është larg pragut të paraparë me ligj, pra 40 përqindëshit të BPV-së.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike. Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore