Kosova

Kurti me partnerët e koalicionit: Zgjedhjet e parakohshme, nëse ka harmonizim të plotë të opozitës


Foto nga Zyra e Kryeministrit. Kryeministri Albin Kurti, ministrja Donika Gëvalla, ministri Faton Peci dhe shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që ka zhvilluar të hënën me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe shefin e këtij grupi parlamentar Abelard Tahiri, është takuar edhe me bashkëdrejtuesit e partisë “GUXO”, ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla dhe ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, të martën.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave nga Zyra e Kryeministrit ku thuhet se fokusi i diskutimeve ka qenë rreth qëndrimeve të opozitës për zgjedhje të parakohshme.

Zgjedhjet e reja sipas tyre mund të bëhen vetëm me dakordim të opozitës.

“Aty u theksua se duke qenë se legjislativi dhe qeverisja kanë arritur në vitin e katërt të mandatit, është e kuptueshme se procesi zgjedhor është çështje e muajve, por që dakordimi për hapat e mëtutjeshëm duhet të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës si dhe harmonizimin e plotë të kërkesës së partive opozitare karshi pozitës në Kuvend. Vetëm atëherë mund të trajtohen seriozisht nismat për diskutime të procesit të ri zgjedhor”.

Kurti, Gërvalla, Peci e Kusari-Lila diskutuan edhe për zhvillimet aktuale, arritjet dhe sfidat e përmbushjes së agjendës legjislative si dhe planet për të ardhmen, me fokus në agjendën legjislative.

“Në cilindo skenar, partnerët e koalicionit qeverisës, u shprehën të gatshëm dhe tërësisht të bindur se vlerat e kultivuara të demokracisë dhe progresi i deritanishëm i Qeverisë do të vazhdojë bashkë me përcaktimin tonë për shtet demokratik të zhvilluar, me sundim të rendit dhe ligjit dhe për integrim në strukturat veri atlantike”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë refuzuar ftesën e Kurtit për t’u takuar të hënën, i vetmi që ka pranuar ftesën e Kurtit ka qenë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Nga këto dy parti është thënë se refuzimi është bërë për shkak se e kanë konsideruar “shumë të vonuar” ftesën e kryeministrit nën argumentin se pushteti e ka shuar frymën e bashkëpunimit.

Partitë politike veçse kanë nisur të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të reja pak para përfundimit të mandatit të qeverisë së drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore