Lajme

Murati: Është bërë procesimi i subvencioneve për ngrohje për familjet në asistencë sociale


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, ka bërë të ditur se të premten është bërë procesimi i pagesës së subvencionit për ngrohje për familjet që janë me asistencë sociale.

Lajmin e ka bërë të ditur Murati përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Është bërë procesimi i pagesës së subvencionit për ngrohje, për familjet në asistencë sociale, masë kjo e mbështetur nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar ai.

Murati, kishte njoftuar se rreth 21 mijë familje, rreth 81 mijë anëtarë përfitues, do të kenë mbështetje shtesë të njëhershme për blerjen e lëndës djegëse për ngrohje gjatë dimrit, përkatësisht blerjen e druve të zjarrit, në mënyrë që të kalojnë stinën e dimrit sa më lehtë të jetë e mundur.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën ndarjen e pesë milionë eurove nga Pakoja Energjetike e Bashkimit Evropian (BE) për familjet në asistencë sociale, në kuadër të mbështetjes së familjeve në nevojë për të tejkaluar dimrin me sa më pak vështirësi dhe zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike.

“Mbështetja financiare për këtë masë vjen nga Pakoja Energjetike e finacuar nga BE-ja e cila kap vlerën 75 milionë euro në total”.

“Gjatë ditëve në vijim do të bëhet verifikimi i listave dhe MFPT-ja do të njoftojë me kohë edhe përfituesit në lidhje me zbatimin e kësaj mase”, kishte shkruar ministri Murati në llogarinë e tij pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, edhe Ministria e Ekonomisë të mërkurën ka shpallur thirrjen publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje në mbështetje të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme financuar nga BE-ja, ndërsa masat që janë prezantuar synojnë mbështetjen e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme, si investim në instalimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje.

Në Kosovë me asistencë sociale janë mbi 25 mijë familje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore