Gjykata Speciale

Mungesën e vizitave në Hagë nga Osmani e Kurti, juristët e shohin s’i “distancim” nga ish-krerët e UÇK-së


Foto: Albanian Post

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, nuk i kanë vizituar ende ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë si të akuzuar për krime lufte.

Për juristët, mungesa e vizitave, shpërfaq “distancim në raport me ta”, meqë sipas tyre nuk mjafton vetëm pagesa e avokatëve.

“Mendoj që duhet të kemi më shumë vizita nga krerët e institucioneve dhe të njëjtit t’ua japin besimin që në këtë betejë ligjore jemi bashkërisht për të mos u akuzuar nga institucionet dhe shtetet ndërkombëtare për ndërhyje ne drejtësi mund të rezervohen në deklarimet e tyre lidhur me pa ose fajësinë e tyre”, tha avokati Burim Halili për Ekonomia Online.

Ndërsa avokati tjetër, Arbër Jashari, ka theksuar se në Gjykatën Speciale kemi të bëjmë me një gjykim maratonik dhe që kërkon qasje profesionale.

“Nuk mjafton të thuhet se ne do të paguajmë avokat ose të caktohen kuota, rregullore ose ligje të caktuara. Ligjet dhe direktivat ligjore dhe duhet t’i përshtaten situatës reale. Secilit të pandehuri atje, pra krerëve të UÇK-së duhet t’u jepet mundësia që të mbrohen ashtu siç ata dëshirojnë dhe më ekipin që ata mendojnë se do t’ia dalin mbarë”, potencoi Jashari.

Duke folur për mbrojtjen që po i bën shteti ish-krerëve të UÇK-së, Jashari ka kërkuar që të lihen anash inatet politike dhe të jenë të bashkuar.

Ndryshe muajin e kaluar, avokatë kryesor të mbrojtjes së Hashim Thaçit, pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, Gregory Kehoe, Joe Reeder, “Greenberg Legal Associates” dhe anëtarët e kësaj kompanie, kanë kërkuar të tërhiqen në rastin e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në kërkesën e tyre ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë thuhet se moskryerja e obligimeve ndaj tyre është arsyeja e kësaj kërkese.

Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet një komunikate për shtyp ka njoftuar se është përgjegjëse vetëm për pagesën ndaj avokatit kroat Luka Mishetiç dhe jo ndaj avokatëve tjerë të angazhuar në mënyrë private nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po mbahen në paraburgim.

Vitin e kaluar në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit si të akuzuar për krime lufte.

Këto krime të pretenduara janë përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është ish-senatori zviceran, Dick Marty.

Por, ish-udhëheqësit e UÇK-së, kanë deklaruar se ndihen krejtësisht të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së konfirmuar ndaj tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore