Lajme

MSH njofton për simptomat, kujdesin dhe trajtimin e lisë së majmunëve


Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka bërë të ditur mënyrat se si transmetohet lija e majmunëve.

MSH-ja, ka publikuar disa të dhëna, duke njoftuar se periudha inkubacionit është nga 5 deri në 21 ditë, ndërsa sëmundja nuk përhapet lehtë mes njerëzve.

Si transmetohet Lija e Majmunit?

“Lija e majmunit nuk përhapet lehtë midis njerëzve, por sëmundja mund të merret përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me person të infektuar, duke përfshirë: lëkurën e dëmtuar, kore ose lëngje trupore, pështymë, spërkla – kontakt i zgjatur ballë për ballë, materialet e kontaminuara – p.sh shtrat ose peshqirë të përdorur, kontaktin seksual”.

Cilat janë simptomat e Lisë së Majmunit?

“Simptoma tipike e Lisë së Majmunit është skuqja e lëkurës me flluska në fytyrë, duar, këmbë, gojë dhe organe gjenitale. Skuqja e organeve gjenitale dhe peri-anale është raportuar gjatë kësaj epidemie. Skuqja mund të shoqërohet me ethe, ndjenjë shqetësimi ose sëmundje, dhimbje koke, lodhje dhe ënjtje të nyjave limfatike. Ju jeni infektues përderisa keni simptoma të sëmundjes”, sqarohet tutje në njoftimin e MSH-së.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.

Çfarë duhet të bëjmë nëse mendoj se kam Linë e Majmunit?

“Nëse keni skuqje të lëkurës, të shoqëruar me ethe ose ndjenjë shqetësimi ose sëmundje, bisedoni me mjekun tuaj bëni testin për sëmundjen. Nëse dyshoni ose e konfirmoni se keni Linë e Majmunit, duhet të izoloheni derisa ndërrimet në lëkurë të kenë rënë”.

“Gjatë kësaj periudhe, ju mund të merrni trajtim për të lehtësuar simptomat e Lisë së Majmunit. Kushdo që kujdeset për ju duhet të marrë masat e duhura mbrojtëse personale”.

Si duhet të mbrohemi nga Lija e Majmunit?

“Secili në kontakt të ngushtë me person të infektuar, duke përfshirë kontaktin seksual, mund të sëmuret nga Lija e Majmunit. Merrni hapa për të mbrojtur veten gjatë epidemisë aktuale në Evropë, duke shmangur kontaktin me lëkurën ose ballë për ballë me këdo që ka simptoma, praktikuar seks të sigurt, mbajtur duart e pastra”.

Më 25 maj, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë dhe Ministria e Shëndetësisë në konferencë për media kanë konfirmuar se nuk është regjistruar në Kosovë asnjë rast me lijën e majmunit.

Por, megjithatë institucionet kanë paralajmëruar se kanë nisur përgatitjet për përballje të mundshme me infeksionin.

Zëvendësministrja e ministrisë së Shëndetësisë, Dafina Gexha tha se janë duke monitoruar masat që po ndërmarrin shtetet tjera që po përballen me këtë infeksion.

“Në bazë të të dhënave, nuk ka deri më tani person të dyshuar për këtë li. MSH-ja po e monitoron situatën dhe po përgatit rekomandime. Duke qenë se rastet e para janë konfirmuar në rajon e botë, rreziku që të përhapet edhe në Kosovë është eventual”.

Ndërsa, ka bërë të ditur se lajm i mirë është shpejtësia e përhapjes nuk është e ngjashme me atë të COVID-19.

“Lajm të mirë përbën fakti që shpejtësia e përhapjes s’është sikur e COVID-19. Jemi duke shikuar masat që po ndërmerren nga shtetet tjera”, ka thënë Gexha-Bunjaku në një konferencë për media të mërkurën.

Gexha-Bunjaku, ka shtuar se tashmë në IKSHPK kanë nisur përgatitjet për testet dhe se po punohet bashkë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë që të ndahen këshillat e duhura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore