Lajme

Institucionet në Kosovë nisin përgatitjet për t’u përballur me linë e majmunit


Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë dhe Ministria e Shëndetësisë në konferencë për media kanë konfirmuar se nuk është regjistruar në Kosovë asnjë rast me lijën e majmunit.

Por, megjithatë institucionet kanë paralajmëruar se kanë nisur përgatitjet për përballje të mundshme me infeksionin.

Zëvendësministrja e ministrisë së Shëndetësisë, Dafina Gexha tha se janë duke monitoruar masat që po ndërmarrin shtetet tjera që po përballen me këtë infeksion.

“Në bazë të të dhënave, nuk ka deri më tani person të dyshuar për këtë li. MSH-ja po e monitoron situatën dhe po përgatit rekomandime. Duke qenë se rastet e para janë konfirmuar në rajon e botë, rreziku që të përhapet edhe në Kosovë është eventual”.

Ndërsa, ka bërë të ditur se lajm i mirë është shpejtësia e përhapjes nuk është e ngjashme me atë të COVID-19.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.

“Lajm të mirë përbën fakti që shpejtësia e përhapjes s’është sikur e COVID-19. Jemi duke shikuar masat që po ndërmerren nga shtetet tjera”, ka thënë Gexha-Bunjaku në një konferencë për media të mërkurën.

Gexha-Bunjaku, ka shtuar se tashmë në IKSHPK kanë nisur përgatitjet për testet dhe se po punohet bashkë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë që të ndahen këshillat e duhura.

“Qytetarët janë këshilluar të ndjekin udhëzimet e mjekëve nëse kanë skuqje në lëkurë”.

Edhe, Naser Ramadani nga IKSHPK-ja ka thënë se rreziku deri tash në Kosovë është i ulët.

Ramadani ka shtuar se IKSHPK-ja ka përpiluar dokumentin e parë dhe se ai është shpërndarë në institucione e se do të përditësohet.

Sa i përket grevës së punëtorëve shëndetësor, Gexha- Bunjaku, tha se janë zhvilluar disa takime me përfaqësues nga kabineti i ministrit dhe se deri në fund të javës pritet që të merret vendimi për procedim të pagave.

“Deri më tash ka pas paqartësi procedurale të administratës të cilat tashmë janë sqaruar nga gjitha dikasteret dhe deri në fund të javës presim të merret vendimi që sa më shpejtë të procedohet me pagat e stafit mbështetës për Covid”, tha zëvendësministrja.

Çka është sëmundja e lijës së majmunëve?

Sipas infektologut, Gëzim Morina, “lija e majmunit është sëmundje virale, zonotike që shfaqet kryesisht në zonat tropikale të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore që i takon grupit ORTHOPOXIVIRUS të familjes POKSIVIRIDAE që janë dy variante”.

“Varianti i Kongos i cili është me i rëndë, me vdekshmëri 10 për qind dhe i dyti është varianti i Afrikës Perëndimore i cili është variant më i butë i cili ka vdekshmëri 1% të rasteve të prekura, fatmirësisht rastet e raportuara në Evropë i takojnë variantit të Afrikës Perëndimore”.

Foto: Ilustrim i lijes së majmunëve.
Morina, tutje bën të ditur edhe transmetimin e kësaj sëmundje.

“Transmetohet përmes kontaktit të ngushtë midis kafshëve: majmunit dhe më rrallë midis njerëzve. Bartja e infeksionit bëhet me kontaktin e ngushtë mes personit ose kafshës së infektuar me virus, ndërsa transmetimi nga njëri person në tjetrin bëhet përmes kontaktit të ngushtë me LEZIONE (puçrra, lëngje trupore, piklat e frymëmarrjes dhe materialet e kontaminuara si shtrati i pacientit si batanijet, peshairet, etj.)”.

Por, ai konsideron se tash ka një transmetim më të ndryshëm të kësaj sëmundje.

“Shfaqja klinike e sëmundjes është me ethe të vazhdueshme, dridhje, temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje muskujve(dhimbje e trupit), vjellje, skuqje dhe ënjte të nyejve limfatike që mund të çojnë deri te komplikimet mjaft serioze që mund ta sjellin edhe vdekjen e pacientit”.

Ndërsa kohëzgjatja e këtij virusi është 2 deri në 4 javë.

“Terapia Simptomatike bëhet vetëm në raste të infeksioneve sekondare bakteriale (jepen antibiotikë). Vaksinimi për lijen e madhe ofron mbrojtje edhe nga lija e majmunit. Por, janë zhvilluar vaksinat edhe më të reja që janë miratuar për parandalimin e lijes së majmunit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore