Lajme

MPJ: Shmangni udhëtimet nëpër Serbi, kemi pranuar raportime për arrestime të qytetarëve kosovarë


Ministria e Punëve të Jashtme ka ftuar qytetarët e Kosovës që ta shmangin kalimin nëpër Serbi, me qëllim të shmangies së çfarëdolloj incidenti.

“Për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin kalimin nëpërmjet Serbisë”, ka njoftuar MPJ.

“Gjatë ditës ka pranuar raportime për arrestime të qytetarëve kosovarë nga autoritetet serbe përgjatë kalimit të tyre nëpër Serbi, dhe po merret nga afër me rastet nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Beograd”.

Sipas MPJ-së, marrë parasysh zhvillimet e fundit, dhe duke e njohur qasjen jo korrekte të autoriteteve serbe, me qëllim të shmangies të çfarëdo incidenti, fton qytetarët që të përdorin rrugë alternative për udhëtim.

Ndryshe, që nga 26 maji janë rritur tensionet në Veri të Kosovës. Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Përveç ndalimit të hyrjes në objektet komunale të kryetarëve të rinj, serbët lokalë po kërkojnë edhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga kjo pjesë e vendit.

Ndërsa më 29 maj, në Zveçan, strukturat paralele serbe u përleshën me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, i cili ka shtuar prezencën në veri, pas tensionimit të situatës. Si pasojë 41 pjesëtarë të këtij misioni mbetën të lënduar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Aleanca ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore