Lajme

MPB e Serbisë: “Xhandarmëria serbe e gatshme për kundërpërgjigje”


Autoblindat e xhandarmërisë serbe

Vendimi i ditës së hënë i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, ka bërë që shteti i Serbisë të vazhdojë me provokime.

Ministria e Punëve të Brendshme në Serbi ka publikuar një video të xhandarmërisë serbe, ku shihen ushtarët dhe automjete ushtarake, duke përfshirë edhe auto-blinda.

Ndërsa, në këtë video është parë edhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

“Xhandarmëria është gati që të kryejë detyrat e caktuara nga Serbia dhe presidenti Vuçiç”, thuhet në përshkrimin e videos.

Po ashtu gjatë mbrëmjes së të hënës mediat në Serbi raportuan se veturat ushtarake serbe i janë afruar kufirit me Kosovën pas tensioneve në veri.

Në orët e hershme të mëngjesit të 20 shtatorit, Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Speciale operative është vendosur në pikë kalimin e vjetër kufitarë në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje të komunës së Leposaviçit, për të filluar reciprocitetin e targave.

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me targa të Republikës së Kosovës, nëse duan të qarkullojnë brenda vendit.

Aksioni i Policisë së Kosovës është pasuar me reagime të shumta si nga shtetasit serbë të cilët jetojnë në Kosovë ashtu edhe nga politikanët serbë të cilët veprojnë në këtë vend.

Fotografia e shkrepur gjatë aksionit të Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës në Veri të Mitrovicës, gjatë ditës së hënë për zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e masave të reciprocitetit për targat

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore